PSG 1-2 CITY
City rrënon Parisin në pjesë të dytë
28 April, 2021 @23:00
Se çka u tha Pep Guardiola lojtarëve në pushim të pjesëlojëve, mbetet të dëgjohet pas ndeshjes, mirëpo ajo çka bëri Manchester City në pjesë të dytë mbetet të analizohet mirë, pasi që pas paraqitjes dominuese të parisienëve në pjesë të parë dhe epërsisë, anglezët dolën me fitore nga Parc des Princes.
Epërsinë e arritur me Marquinhos (15), City e neutralizoi me një kros-gol të Kevin De Bruynes (64) para se Riyad Mahrez të shënojë nga gjuajta e lirë (71) për 1-2 përfundimtare.
Futbollistët e PSG-së dolën kokulur nga ndeshja, ndërsa problemet e tyre në ndeshje u shtuan pas epërsisë së Cityt, kur mesfushori Idrissa Gueye fauloi ashpër Ilkay Gundoganin për tu përjashtuar nga ndeshja me karton të kuq nga referi Felix Brych.
Neymar, Angel di Maria dhe Kylian Mbappe i shkaktuan telashe të panumërta mysafirëve në 45 minutata e para, por asnjëri s’mundi ta thellonte epërsinë që e kishin arritur me Marquinhosin.
E në pjesë të dytë City prishi krejt planet e vendasve, duke mos i lënë shumë mundësi të luajnë me top dhe me presing të hatashëm në secilën pjesë të fushës dominuan lojën për të realizuar edhe rastet dhe tash në Etihad, të martën që vjen, në ndeshjen e kthimit do të kërkojnë finalen e parë të Ligës së Kampionëve në histori të klubit.