TOTTENHAM HOTSPUR
Conte premtues te Tottenham
2 November, 2021 @14:04
Përkundër se Tottenham Hotspur është gjithmonë temë e shakave në rrjete sociale për shkak të ecurisë së tyre pa trofe të madh, Antonio Conte është duke shikuar mundësinë që t’ia sjellë skuadrës së gjelave të parin, pas 5 mijë ditësh.
Po, saktë sot me emërimin e Contes si trajner të ri të Tottenhamit, janë bërë 5 mijë ditë prej se skuadra ka fituar trofeun e fundit - dhe tashmë anglezët shkruajnë: “Topi është tash te ti, Conte”.
Spurs larguan portugezin Nuno Espirito Santo pas vetëm 17 ndeshjeve dhe katër muajve në krye të ekipit, përkundër se ky i fundit ishte zgjedhur trajneri më i mirë i muajit gusht në Premier League!
“Mezi pres fillimin e punës me ekipin entuziast, tifozët pasionant dhe me një mentalitet fitues e përcaktues, do të shkojmë përpara,” ka thënë ndër të tjera Conte në deklaratën e parë të tij dhënë për faqen zyrtare të skuadrës nga Londra.
Trajneri 52-vjeçar i është rikthyer Londrës pas periudhës së suksesshme që e kishte me Chelsea (2016/17) ku fitoi titullin kampion dhe FA Kupën. Italiani në fjalë pas kësaj çoi edhe Interin te titulli kampion, pas 11 vitesh pritjeje për titull të neroazzurrëve (2020/21) për ta lënë ekipin pas kësaj.
Drejtori menaxhues i Tottenhamit, Fabio Paratici, në deklaratën e tij dhënë për emërimin e Contes në krye të skuadrës ka bërë të qartë besimin e madh që e ka italiani aty.
“Për te flet historia e tij si trajner. Ka përvojë dhe trofe të fituara në Itali e Angli. E di nga dora e parë se çfarë të mira mund të na sjellë Antonio, pasi që kam punuar me te në Juventus. Tash pres punën dhe cilësitë e tij t’ia sjellë edhe grupit tonë të lojtarëve të talentuar,” ka thënë Paratici.
Conte, pos trofeve të përmendur më lartë ka fituar edhe tri herë tjera Serie A dhe dy Coppa Italia me Juventusin, ndërsa në fille të karrierës së tij si trajner ishte shpallë kampion i Serie B me Barin.