STRATEGJIA
De Biasi e ka një dilemë para ndeshjes ndaj Izraelit
9 June, 2017 @12:52
Pjesa më e madhe e 11-shes së kombëtares që do të dalë në fushë në përballje ndaj Izraelit, duket të jetë e vizatuar në fletoren e selektorit Gianni de Biasi.
Dy stërvitjet e fundit, ai ka kthyer sistemin 4-1-4-1 që ka qenë standard i kuqezinjëve në vitet e kaluara dhe lojtarët janë dukur tepër më komod në lojë.
Kjo ka bërë që edhe 10 emra startues të jenë gjithmonë të njejtë në përgatitjet që po zhvillohen në Turqi, ndërsa dilema e vetme, mbetet kryesorja. Golashënuesi.
Shiko: TABELAT AKTUALE DREJT RUSIA 2018
Thomas Strakosha është në portë. Mërgim Mavraj, Berat Xhimshiti në qendër të mbrojtjes. Në krah, sipas anës, Elseid Hysaj dhe Naser Aliji. Para mbrojtjes Burim Kukeli. Para Kukelit, Amir Abrashi dhe Ledian Memushaj.
Në krahë, Jahmir Hyka e Odise Roshi, ndërsa sulmuesi i vetëm mbetet dilema.
Sokol Çikalleshi apo Armando Sadiku? Te të gjitha provat, De Biasi ka zëvendësuar njërin me tjetrin pas çdo 45 minutave dhe kjo duket të jetë dilema e vetme në kokën e italianit aktualisht.
Shqipëria po kërkon fitore ndaj Izraelit të dielën më 11 qershor.