KOLUMNE
Debutimi i Zhegrovës ndaj Parisit, Madonnina + 3 tjera!
Shkruan: G.P
4 February, 2022 @11:30
Pas pushimit afro dy-javor, këtë fundjavë rikthehet futbolli i klubeve.
Muaji shkurt është gjithmonë muaj i mbushur me ndeshje të mira, pasi që këtë muaj rikthehen edhe ndeshjet e garave evropiane për klube.
Në fundjavën e parë të këtij muaji, këto janë 5 ndeshjet e zgjedhura për të mos u humbur.
1. Inter - Milan (e shtunë, 18:00)
Derbi i qytetit të modës. Me një ndeshje më pak, Interi ka 4 pikë më shumë se Milani dhe ndodhet në krye të renditjes. Ardhjet e Gosens dhe Caicedos në janar e bëjnë Interin edhe më të fortë për pjesën e mbetur të sezonit dhe vështirë se do ta lëshojë titullin nga dora.
Nëse e fiton edhe këtë derbi këtë fundjavë, Interi mund ta “përjashtojë” MIlanin përfundimisht nga gara për titullin e këtij sezoni, e pastaj do t’i mbetej të luftonte vetëm me Napolin.
Si gjatë gjithë sezonit, edhe këtë takim Milani e nis me plot mungesa, e Interi mund ta “vajtojë” pak vetëm mungesën e Correas, pasi që pjesa e tjetër e skuadrës duket të jetë e gatshme.
Për pjesën e mbetur të kampionatit dhe për tifozët neutral do të ishte më mirë nëse nuk fiton Interi!
2. Osasuna - Sevilla (e shtunë, 21:00)
Barcelona dukshëm më e dobët dhe Atletico që po pranon gola pafund, por edhe vazhdueshmëria e saj në rezultate, e kanë bërë Sevillën skuadrën e dytë më të mirë spanjolle në këtë sezon të La Ligës. Andaluzianët e gjejnë vetën në luftën për titull pas 22 xhirove të luajtura, duke qenë vetëm 4 pikë prapa Real Madridit lider.
Në janar Sevilla solli francezin Anthony Martial nga Manchesteri, për ta përforcuar fazën sulmuese, e se sa do të ketë fuqi kjo skuadër ta rivalizojë Realin për titull, mbetet të shihet në pjesën e mbetur të sezonit.
Këtë fundjavë Sevilla i shkon Osasunës së papërshtatshme, e cila këtë sezon e ka ndalur edhe Real Madridin, e edhe Barcelonën.
Do të jetë prej atyre ndeshjeve ku është shumë më rëndësi të shënosh i pari. Shumë gola nuk besoj që do të ketë, por do të jetë një ndeshje e fortë.
3. Dortmund - Bayer Leverkusen (e diel, 15:30)
I dyti më të tretin e Gjermanisë. Më afër Bayernit është Dortmundi, e Leverkuseni është larg garës për titull, por megjithatë ndeshja e së dielës mes Dortmundit e Leverkusenit është për t’u shikuar.
Çeku Schick po kalon sezon fantastik me Leverkusenin dhe ka 18 gola në Bundesligë deri tash, ndërkohë që sezon të mirë te kjo skuadër po kalojë edhe Wirtz e Diaby.
Te Dortmundi, norvegjezi Haaland vazhdon të jetë “fytyra” e skuadrës. Ka shënuar 16 gola deri tash, e pas tij sa i përket golave në ligë vjen Reus me vetëm 5 të shënuara, diferencë e konsiderueshme. Për ta luftuar Bayernin, duhet të shënojnë më shumë edhe të tjerët përveç Haalandit!
Tetë takimet e fundit mes këtyre dy skuadrave kanë dhuruar plot gola. Madje 2 prej tyre kanë dhuruar nga 7 gola! Besoj që do të ketë shumë gola edhe kjo ndeshje!
4. Barcelona - Atletico Madrid (e diel, 16:15)
Nëse kemi parasysh të gjitha rrethanat, Barcelona bëri një punë të mirë në afatin kalimtar të janarit. Disa prej ardhjeve mund të cilësohen si “zgjidhje afatshkurtër”, por për momentin katalunasit nuk mund të bëjnë më shumë në treg dhe prandaj janari mund të quhet muaj i suksesshëm për ta.
Aubameyang do të shënojë gola, e Adama Traore nëse fillon ta përdorë trurin më mirë se deri tash, do të bëhet një super-lojtar nën drejtimin e Xavit. Ndërkohë, Dani Alves do ta sjellë gjithë përvojën e tij dhe do të jetë një zë i rëndësishëm në zhveshtore, e Fernan Torres është prej atyre futbollistëve që ambientohen shpejt dhe do të jetë transfer i qëlluar edhe në plan afatgjatë.
Këtë fundjavë Barcelona do të ketë punë me Atleticon e Madridit, e kjo përballje nuk i gjen këto skuadra në gjendjen e tyre më të mirë të mundshme. Atletico është më i dobët se vitet e kaluara dhe rol në këtë po luan edhe pësimi i tepërt i golave, gjë që nuk ndodhë zakonisht te kjo skuadër. Madje madje, edhe Barcelona deri më tash ka pësuar më pak gola se Atletico në La Liga sivjet!
Për dallim prej viteve të kaluara, ku këto dy skuadra i shihnim duke luftuar për titull, këtë sezon dhe në pjesën e mbetur të tij këto dy skuadra do t´i shohim duke luftuar për top-katër të La Ligës.
Diferenca mes tyre në renditje është vetëm një pikë dhe ndeshja e së dielës duhet të jetë interesante. Ndoshta jo me shumë gola, por interesante!
5. Lille - PSG (e diel, 20:45)
Debutimi i Edon Zhegrovës te Lille mund të ndodhë pikërisht në ndeshjen ndaj Parisit. Futbollisti nga Kosova ishte në bankën rezervë për herë të parë te Lille në ndeshjen e kaluar ndaj Brestit, por nuk u inkuadrua, e debutimi i tij mund të ndodhë këtë fundjavë ndaj PSG-së.
Ndonëse është kampion në fuqi, Lille këtë sezon është dukshëm më i dobët, i ndikuar edhe largimi i super-trajnerit Christophe Galtier, por megjithatë mbetet prej skuadrave më të mira franceze sa i përket zhvillimit të talentëve dhe transferi i Zhegrovës aty është lajm tejet i mirëpritur për futbollin kosovar.
Ndonëse nuk ka fuqi ta rivalizojë Parisin për titull, Lille shpesh është treguar skuadër e papërshtatshme për parisienët. Në fillim të këtij sezoni, pikërisht Lille e eliminoi Parisin nga Kupa e Francës, e shpresojmë që Lille të tregojë lojë të mirë edhe këtë fundjavë.
Mbi të gjitha, shpresojmë ta shohim Edon Zhegrovën në fushë!