PARA DERBIT: FERONIKELI - PRISHTINA
Derbi i kreut, që mund të ndërrojë liderin
5 November, 2018 @12:15
Dueli më interesant i Superligës zhvillohet të mërkurën. Takohen Feronikeli dhe Prishtina, në ndeshjen e cila është dashur të zhvillohej në mes të tetorit dhe është shtyer për 7 nëntor.
Feronikeli dhe Prishtina kishin shtyer këtë ndeshje për shkak të angazhimit të futbollistëve të tyre me grupmoshat e ndryshme të reprezentacionit të Kosovës.
Në ndërkohë, Feronikeli ka kapur kreun e Superligës dhe është lider aty me 32 pikë nga 13 ndeshje të zhvilluara, ndërsa ndiqet nga Prishtina me 30 pikë nga po aq ndeshje.
Në Rexhep Rexhepi të Drenasit të mërkurën më 7 nëntor ndeshen skuadrat që drejtohen nga Zekirija Ramadani dhe Mirel Josa - që janë ekipet me më së paku gola të pranuara në elitë këtë stinor.
Feronikeli ka pranuar 7, ndërsa Prishtina 4 gola - dhe janë skuadrat e vetme që kanë ende gola njëshifror të pranuar!
Derisa te Feronikeli Kastriot Rexha është në formë të mirë dhe po shënon për fitore, bardhekaltërit nga kryeqyteti janë në seri të gjashtë fitoreve radhazi.
Në anën tjetër, statistikat tregojnë që tre ndeshjet e fundit të këtyre skuadrave kanë përfunduar me rezultat të bardhë, pa gola.
Të gjitha duelet e stinorit 2017/18 kanë përfunduar 0-0, derisa një është luajtur në Prishtinë dhe dy të tjera në Drenas. Fitues s’ka pasur.
Këtë stinor, ky do të jetë takimi i parë mes ekipeve në fjalë, ndërsa Prishtina me fitore mund të merr kreun e tabelës, derisa Feronikelit do t’i konvenojë përveç fitores edhe barazimi, që do të mbante distancën dy pikëshe në krye.
Te Feronikeli aktualisht golashënues më i mirë këtë stinor është Mendurim Hoti me 5 gola të shënuara. E te Prishtina këtë epitet e mban ganezi Basit Khalid që ka të shënuara 4 gola.