5 PËR VIKEND
Derbi i parë i vërtetë i Manchesterit dhe Interi i ri!
Shkruan: Luan MORINA
9 September, 2016 @10:36
1. Schalke – Bayern (e premte, ora 8e30)
Janë dy gjëra që mund ta ndalin Bayernin nga titulli i radhës në Bundesligë – lëndimet dhe përqendrimi i Ancelottit në Ligën e Kampionëve. Të dyja mund të vijnë në shprehje pas Vitit të Ri, pasi për momentin kushdo që po shfaqet para po shkelet sikur me buldozer.
Bavarezët kanë ekip të përkryer për ta fituar Bundesligën. Ndërkohë Schalke ka mbledhur pak talent këtë verë. Janë përqendruar në huazime si Konoplyanka e Bentaleb, kanë marrë talentë si Embolo për t’i shtuar grumbullit të talenteve që kanë tashmë, sidomos në mesfushë tek Geis, Meyer, Goretzka e Schopf. Por, zor që mjaftojnë këta për titull, apo për të mposhtur Bayernin kaq herët në sezon.
2. Celtic – Rangers (e shtunë, ora 1)
‘Old firm’ kthehet edhe në kampionatin skocez. Pas dueleve të viteve të fundit vetëm në garat e kupës apo kupës së ligës, dy nga ekipet më të njohura jo vetëm në Ishull, do të matin forcat edhe në kategorinë më të lartë të futbollit skocez.
Më shumë është një rivalitet në letër se sa në fushë. Celtic ka bërë blerje të mira gjatë verës – Sinclair dhe Dembele ndër të tjera; duke i shtuar ekipit tashmë të formësuar një dozë force të re, të aftë edhe për Ligën e Kampionëve.
Ndërkohë, Rangers vijnë me një ekip që arrin të kualifikohet në Premiership vetëm pas sezonit të dytë në Championship. Akoma mbështeten në veteranin Kenny Miller dhe veteranë tjerë që nuk sjellin ndonjë cilësi në lojë si Philippe Senderos i posardhur, Niko Kranjcar e Joey Barton.
Megjithatë, efekti i historisë dhe rivalitetit mund ta bëj këtë ndeshje të kënaqshme për tifozët neutral.
3. Manchester Utd – Manchester City (e shtunë, ora 1e30)
Titanët ndeshen herët për të matur forcat! Derisa akuzonin Chelsean për prishjen e futbollit, ekipet e Manchesterit kanë shpenzuar 350 milionë euro këtë verë në transferime. E mbi të gjitha, kanë sjellë dy trajnerë që në këtë ndeshje mund t’i vënë themelet e një rivaliteti të ri, për herë të parë ndoshta edhe të baraspeshuar.
E vërtetë që ka kohë që City është arab, dhe që kanë mposhtur Unitedin disa herë. Por, gjatë kësaj periudhe Unitedi nuk ishte në nivelin e tyre. City ose nuk kishte trajner të mirë, ose strukturë. Tashti ka të dyjat. Edhe United ka lojtarë e trajnerë. Pra, janë më së miri që do të mund të ishin. Dhe nëse qëndrojnë kështu edhe për tri vite, atëherë kemi një bazë të re për një duel dekadash. Dy Mancheterë të baraspeshuar.
Shumëçka do të vij në shprehje të shtunën – fuqia ekonomike, loja në fushë, strategjia në bankën rezervë, e ardhmja. Shkurt e shqip, kemi diçka që rivalizon e brenda dy-tri viteve edhe do ta kaloj El-Classicon spanjoll, edhe me lojë e strategji, pasi fuqia ekonomike tashti veç është këndej.
4. Liverpool – Leicester City (e shtunë, ora 6e30)
Vitin e kaluar, Liverpooli do të duhej të ishte shenja e parë e rënies së Leicesterit. Dhe e bënë punën e tyre, fituan! Por, Leicesteri mori kahun tjetër, Liverpooli tjetrin. Ndoshta edhe kjo është një ndeshje e tillë, me ekipet që do të marrin kahe të ndryshme pas kësaj ndeshjeje.
Klopp ka bërë një verë shumë të mirë. E shkëlqyeshme do të ishte sikur të merrni një mbrojtës të majtë, e jo të improvizonin me Milnerin. Leicester duket se ka gjetur veten me Swansean, por shiu dhe fati i kishte ndihmuar dhe penguar. Ju nevojitet përgatitje psikike, ç’tensionim, të luajnë pa mbiemrin e kampionit. Ashtu luajnë më lehtë dhe më bukur!
5. Pescara – Inter (e diel, ora 15n9)
Kjo nuk është një ndeshje veç për fansat e Interit. Është edhe për ata të Milanit, tifozët e kombëtares dhe në përgjithësi futbolldashësit.
Për të parët, milanistët, kjo ndeshje është ndoshta pasqyra e parë se çfarë duket një ekip nën pronë kineze. Edhe pse ka shumë dallime, struktura e pronarëve, përbërja e ekipit, e shumë tjera, vlen të shihet një mostër e pronarëve kinezë në futboll. Për momentin, duket se janë të interesuar të investojnë.
Për të dytët janë Ledian Memushaj dhe Rey Manaj, dy nga yjet e kombëtares, njëri tashmë i formësuar, tjetri me një të ardhme të pasur. Memushaj është kapiten, derisa Manaj ka gjetur golin qysh në debutim për Pescaran.
Për të tretët është mungesa e ndeshjeve joshëse të dielën në mbrëmje. Pos nëse jeni fans edhe i NFL.
E për interistët, është koha të shohin Joao Marion dhe Gabrielin – dy veta që ndoshta janë pilarët e parë të Interit të ri. Dhe sa më herët që kthehet në formë, aq më mirë edhe për futbollin italian.