DERBY-FULHAM
Derby merr avantazhin
12 May, 2018 @13:15
Sulmuesi anglez, Cameron Jerome, ka shënuar golin e vetëm të ndeshjes së parë gjysmëfinale të Play-Offit të Championshipit, ku ekipi i tij Derby County ka marrë avantazhin ndaj Fulhamit, 1-0.
Ndeshja e zhvilluar mbrëmë në Pride Park është ndjekur nga 27 mijë shikues në tribuna, ndërsa Derby me këtë rezultat do të shkojë në Craven Cottage për të kërkuar finalen e Play-Offit.
Goli i Jerome-it ka qenë i pesti në katër ndeshjet e fundit për Derbyn, ndërsa ekipi i Gary Rowett do të kërkojë gol si mysafir më 14 maj për të lehtësuar punën drejt finales.
Në anën tjetër, ekipi i Fulhamit, që drejtohet nga serbi Slavisa Jokanovic ka pasur rastet e veta, por nuk ka arritur te goli, pasi që portieri Scott Carson është treguar i pakalueshëm në dy rastet që kishin, derisa me posedim të topit kanë dominuar.
“Kjo është vetëm pjesa e parë e gjysmëfinales. Nuk do të festojmë asgjë pa përfunduar edhe ndeshja tjetër, duhet të jemi tepër të koncentruar në atë ndeshje,” ka thënë Rowett pas ndeshjes.
Derisa trajneri i Fulhamit, beson se ekipi i tij ka merituar më shumë nga kjo ndeshje dhe ka shtuar se në ndeshjen në shtëpi të tyre, duhet të jenë klinik në sulm.
“Nuk është rezultat i keq për ne, por nuk është as rezultat që kemi merituar ta marrim pas paraqitjes që e patëm,” kanë qenë fjalët e Jokanovicit pas ndeshjes.
Dueli i kthimit, Fulham-Derby zhvillohet më 14 maj dhe ekipi me rezultat më të mirë nga dy ndeshjet shkon në finale të Play-Offit të Championshipit.
Në gjysmëfinalen tjetër të Play-Offit të Championshipit takohen sot Middlesbrough - Aston Villa.
Vetëm njëra nga këto katër skuadra do të bëhet anëtare e Premier Ligës stinorin që vjen.