DITARI I EUROs
Dita 23. Biletat e fundit për Wembley
Shkruan: Dren Shporta
3 July, 2021 @11:26
Baku, ora 18:00 me kohën tonë lokale. Çekia ndeshet me Danimarkën. Një fluturim 3 mijë kilometërsh gati për adhuruesit çek, për danezët 4 mijë, për të shijuar duelin që jep biletën e parafundit për në Wembley të Londrës.
Çekia, që u kualifikua mbi Kosovën në këtë evropian falë 4 pikëve më shumë në grup, ka treguar lojëra tepër të sigurta përgjatë fazës grupore dhe tashmë me kalimin në çerekfinale, ata dëshirojnë të mbërrijnë suksesin historik të paraardhësve të tyre.
Nga shumëkush shihen të eliminuar që sonte, por me Patrick Schikun që është në super formë këtë evropian dhe me mesfushorin e dalluar të West Ham Unitedit, Tomas Soucek — gjithçka mund të ndodh.
Danimarka në anën tjetër, do të luajë lojën e saj standarde. Pa shumë kalkulime, të gjithë në sulm dhe të gjithë në mbrojtje — por me mend në krye. Ndërlidhja e rastit të Christian Eriksenit me fuqizimin emocional dhe bashkimin e plotë të ekipit, ka bërë që mungesa e lojtarit kryesor të skuadrës mos të vërehet, derisa secili në fushë po lufton për të.
Gjysmëfinalisti i parafundit, pas çerekfinales së Bakus, do të duhet të fluturojë 5 mijë kilometra, një orar pune të plotë me aeroplan, për të arritur në Londër. E në Wembley në gjysmëfinale do të ndeshet me fituesin e përballjes së orës 21:00.
“It’s Coming Home” është një këngë që i ka 25-vjet jetë dhe ka qenë e popullarizuar gjatë pjesës së dytë të viteve të 90-ta kur Anglia organizonte EUROn dhe kërkonte trofeun e parë të kësaj gare.
“It’s Coming Home” e Lightening Seeds dëgjohet dhe thuhet me të madhe, kur Anglia vjen prej ndonjë fitoreje të rëndësishme për ta. Kësaj radhe, pas Gjermanisë. Por ata përveç çelikut të mbrojtjes, nuk kanë bindur me lojë. Sidoqoftë, duket se Gareth Southgate po e din shumë mirë çka po kërkon.
Ai deri tash ka arritur këtu me metodën, mbrojtja e mirë sjell titull. Asnjë gol i pranuar ende për albionët, ndërsa me qëndrueshmëri dhe besim të plotë ndaj Harry Kane, golat po vinë nga këmbëshpejti Raheem Sterling. E nëse duhet pak kreativitet, atëherë aty është Jack Grealish fantastik.
Pika tjetër që duhet përmendur. Për herë të parë anglezët sonte luajnë jashtë folesë së tyre në këtë kampionat: Wembley. E për tu rikthyer aty, duhen fituar. Kë?
Ukrainën e Andriy Shevchenkos. Në tempullin romak, Olimpico. Ukrainën që po merr mësim kampioni nga një kampion i vërtetë. Shevchenko ka shkruar historinë e vendit të tij duke arritur në çerekfinale të garës. Ukraina është absolutisht më e kompletuar me lojë që prej ndarjes nga BRSS, ndërsa me Oleksandr Zinchenkon e Man Cityt si motor, kapitenin me përvojë Andriy Yarmolenko dhe sulmuesin Roman Yaremchuk, ata kanë treguar qëndrueshmëri. Veçanërisht për të kaluar këtu, ku u duruan të gjitha tentimet e Emil Forsbergut, për të arritur te fitorja në minutën e 120 të vazhdimeve përmes zëvendësuesit, Artem Dovbyk.
Sonte, Ukraina do të ketë shumë më pak barrë mbi supe sesa Anglia. E kjo do të jetë forcë shtytëse për skuadrën e Shevchenkos dhe lehtësim në lojë për të përballur presionin. Anglezët le të mendojnë për të tjerat.
Edhe një gjë. Kur ndeshjet e sotnme të përfundojnë, mos harroni që janë vetëm edhe 3 duele dhe duhet pritur minimum edhe gati 3 vite për evropianin e radhës. Shijoni futbollin.