COPA AMERICA 2021
Paqueta hyn, shënon — Brazili me 10 lojtarë në gjysmëfinale
3 July, 2021 @9:54
Nuk ka qenë aspak e lehtë, por brazilianët nga fryma e mirë e kapur në ekip, kanë arritur që të shënojnë dhe të kthejnë Kilin në shtëpi nga Copa America 2021.
Në Nilton Santos të Rio de Janeiros, pas një pjese të parë me raste të pakta dhe me tentime më tepër nga largësia, pjesa e dytë ka nisur me gol.
Selektori i cariocave, Tite, duke parë mos funksionimin e sulmit me Roberto Firminon, e zëvendëson atë me të nisur pjesa e dytë me Lucas Paquetan.
E mrekullia ndodh menjëherë, sulmi i parë i pjesës së dytë, një magji me Neymarin brenda 16-metërshit dhe Paqueta i sjell epërsinë 1-0 (46’) Brazilit (që në fund doli të ketë qenë rezultati përfundimtar).
S’ka fund emocioni për brazilianët. Gabriel Jesus menjëherë pas golit merr karton të kuq direkt. Tite vazhdon lojën njëjëtë dhe Kili në anën tjetër nis sulmet.
Por, deri në fund të përzgjedhurit e Martin Lasartes nuk arrijnë të qëllojnë portën e Edersonit dhe kështu, Kili eliminohet nga Copa America 2021.
Kujtojmë, ky duel ka qenë i dy fituesve të fundit të garës, pasi që në 2019 Copa American e fitoi Brazili, ndërsa në 2016 dhe 2015 garën e kishte fituar Kili.
Në të njëjtin stadium ku u luajt loja e sotme, Brazili pret Perunë, që më heret eliminoi Paraguajin në përballjen e 5 korrikut, në gjysmëfinalen e parë të garës.