STAR OF THE GAMEWEEK XXVII
Drilon Islami (Prishtina) - Ylli i javës (27)
2 April, 2024 @11:22
Futbollisti i Prishtinës, Drilon Islami, për herë të parë ka fituar çmimin e Yllit të javës, epitet që e jep FFK-ja për lojtarin më të mirë të një xhiroje të Superligës.
Mesfushori Islami, që erdhi te Prishtina nga Ferizaji në verën e fundit, ka qenë ndër më të dalluarit e ekipit bardhekaltër të drejtuar nga Emmanuel Egbo, ndërsa Komisioni përkatës i FFK-së vlerësoi atë për më të mirin e xhiros XXVII.
“Ky komision vendosi që çmimi “Ylli i Javës” për xhiron e 27-të t’i takojë Drilon Islamit, i cili ishte më i angazhuari në fushë, sidomos në ndërprerjet e kundërshtarit në mesfushë. Pika e arkëtuar e Prishtinës në ndeshjen kundër Ballkanit, sipas komisionit ishte meritë e organizimit të lojës nga Islami.” — shkroi FFK njoftim.
Në anën tjetër, Islami është shprehur i lumtur për çmimin dhe ka falenderuar të gjithë bashkëlojtarët për arritjen.
“Jam shumë i lumtur që jam zgjedhue Ylli i javës. Pa ndihmën e bashkëlojtarëve dhe stafit nuk do të mund të kisha një sezon kaq të mirë, andaj i falënderoj të gjithë. Ky çmim është një motiv shtesë që të vazhdoj tutje nga ndeshja në ndeshje të arkëtojmë pikët maksimale që ta arrijmë synimin tonë - daljen në Evropë. Nesër na pret një ndeshje e vështirë në kuadër të gjysmëfinales së Kupës së Kosovës, por duke e ditur objektivin e klubit, do ta japim maksimumin për të arritur finalen dhe për ta fituar këtë trofe”, — tha Drilon Islami për faqen zyrtare të FFK-së.