DRITA - LIRIA
Drita fiton dramën dhe merr vendin e dytë
18 November, 2017 @15:01
Në takimin e zhvilluar sot në Gjilan, Drita e Liria dhuruan një spektakël futbollistik, i cili dhuroi plot 7 gola, e në fund fitores iu gëzuan vendasit, që arritën të dalin me 3 pikë nga fusha.
Goli i parë i ndeshjes erdhi nga Bujar Shabani i vendasve, i cili shënoi pas gabimit të portierit Bakaj, ndërsa goli i dytë i Dritës erdhi nga Xhevdet Shabani, që gjuajti bukur nga distanca dhe e la të shtangur portierin Bakaj. Gjithsesi, kjo epërsi u ngushtua nga Jetmir Sefa i mysafirëve pak sekonda para mbylljes së pjesës së parë dhe 45 minutat e parë u mbyllën 2-1.
Për 3-1 u përkujdes Fidan Gërbeshi nga pika e bardhë, mirëpo mysafirët nuk lejuan që fitorja e Dritës të vinte lehtë dhe dhuruan një fund dramatik të ndeshjes. Ishte Artur Magani ai që shënoi dy herë brenda 5 minutave dhe i barazoi ekuilibrat mes skuadrave, mirëpo kur u mendua që ndeshja do të mbyllej me barazim, vendasit e arritën fitoren falë një autogoli të Basriut të mysafirëve dhe ndeshja u mbyll me rezultatin përfundimtar 4-3.
Pak sekonda para fundit të ndeshjes, Rron Gashi i Lirisë u përjashtua me karton të kuq pas protestave ndaj gjyqtarit, mirëpo kjo nuk luajti rol në epilogun final të takimit.
Pas kësaj fitoreje, Drita tashmë ngjitet në vendin e dytë, ndërsa Liria mbetet me 22 pikë në vendin e tetë.