eUropa
Dueli për treshen
Shkruan: Luan Morina
8 March, 2016 @16:30
Zenit - Benfica
Zeniti dhe Benfica do të ndeshen në ndeshjen direkte që përcakton se cila ligë do të ketë tri përfaqësuese në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm.
Andre Villas-Boas është në muajt e fundit të kontratës me rusët dhe qëllimi i tij i vetëm ashiqare duket të jetë Evropa me mbetjen mbrapa në ligën kombëtare të Rusisë. Benfica tenton edhe në ligë dhe ka ekip më cilësor dhe më me përvojë në Evropë se rusët. Por, Zeniti në Rusi është vrastar.
Me pak ndihmë nga Chelsea, edhe Rusia edhe Portugalia do të mund të kishin nga tri ekipe, por vetëm nëse eliminohet Benfica dhe Fenerbahce. Nejse…
Chelsea - PSG
PSG dhe Manchester City kanë stinorin ndër më vendimtarët në qëllimin e tyre për të arritur në Ligën e Kampionëve. Për parisienët imperativ është gjysmëfinalja, por me Blanc nuk do të ishte çudi të eliminoheshin qysh tani. Një njeri me mendje në vend s’do të angazhonte 70% të ekipit të parë në ndeshjen e ligës kur ekipi është 20 pikë larg të dytit. Kjo flet gjithçka për Blanc. Në anën tjetër Chelsea është ekipi më i mirë në Premier League që nga ardhja e Hiddinkut. Nuk janë në stil kampionësh, por nuk janë autsajder total ndaj PSG.
Real Madrid - Roma
Autsajder nuk është as Roma. Spalleti ka ringjallur këtë ekip dhe ndaj Realit ishin mposhtur me pak mungesë të fatit. Por, madrilenët sa herë u shfaqen ‘krismat’ në media përgjigjen në mënyrën më të mirë të mundshme. Është një luftë e brendshme ndërmjet tyre dhe Perezit. Roma kur luan pa 9sh klasik është më e rrezikshme pasi Salah, El Shaarawy e Perotti nuk ngujohen në pozita të caktuara dhe janë të lirë të lëvizin për të hutuar mbrojtjen e Realit e cila nuk është edhe aq e përkryer si mbrojtje zonale.
Gjithçka do të varet se kush shënon i pari, dhe kur shënon.
Wolfsburg - Gent
Është punë e kryer se kush kalon në rrethin e ardhshëm. Gent nuk është aq i denjë për të eliminuar Wolfsburgun as në ditët më të këqija, e këto ditë mund të jenë të ndryshueshme për ujqit, por larg të këqijave.
Europa League
Gjithçka është në hije të Liverpool – Manchester United. Sigurisht është hera e parë, dhe e fundit që këta dy gjigantë ndeshen në këtë nivel të garave. Të dyja janë në gjendjen më të rëndë në dekadat e fundit, dhe kjo garë mbetet ndoshta mënyra kryesore për të arritur në Evropë, sikur të mos ishin Dortmund, Tottenham, dhe gjithë ato ekipe spanjolle që e dashurojnë këtë ligë.
Përballja ndërmjet Bilbaos dhe Valencias do të jetë sfida tjetër më interesante e këtij rrethi, derisa Besnik Hasi do të provoj të shpëtoj punën e tij me një kualifikim në çerekfinale. Mendoj që Sevilla ka punën e kryer tashmë, ngjashëm si Lazio.