KLINË

Dukagjini reagon ashpër pas ndëshkimit “të padrejtë”
12 September, 2021 @23:19
Skuadra e Dukagjinit ka nxjerrë pikë sot si mysafir në Gjilan ndaj Gjilanit, në përballjen që përfundoi pa gola, 0-0.
Mirëpo, referi me stemë të FIFAs i Superligës së Kosovës, Besfort Kasumi, është kritikuar ashpër nga klubi klinas, duke kërcënuar edhe me largim nga kampionati të ekipit!
Krejt kjo, pasi që pas videos së shfaqur, KF Dukagjini ka bërë të ditur se kartoni i dytë i verdhë për Bujar Shabanin nuk ka ekzistuar.
Mëposhtë, reagimi i plotë i KF Dukagjini:
Sot në ndeshjen e javës së tretë në mes të Sc Gjilanit dhe KF Dukagjinit klubi ynë është dëmtuar tej mase kur gjyqtari Besfort Kasumi pa asnjë të drejtë, por i ndikuar nga reagimet e publikut, ndëshkoi me karton të verdhë (të dytin) lojtarin tonë, Bujar Shabani.
Si klub jemi të shqetësuar për mënyrën sesi gjyqtarët po i ndëshkojnë lojtarët tanë e sidomos për rastin në fjalë. Është e turpshme që një gjyqtar me stemë të FIFA-s të gjykojë në këtë mënyrë, ky është turpi i referimit.
Edhe në pamjet televizive shihet qartë dhe mirë që dueli (i cili u akordua si faull) nuk ishte i tillë. Ky është reagimi ynë i fundit dhe nuk do të lejojmë dëmtime në asnjë mënyrë, edhe në qoftë se do të kushtojë me largim nga Kampionati.
Dukagjini që është rikthyer këtë stinor në Superligë dhe drejtohet nga Armend Dallku në tri xhirot e para të stinorit ende nuk ka shijuar fitoren, ndërsa ka dy barazime dhe një humbje.