LIRIA 0-0 TREPÇA
Pamje nga ndeshja e sotme, duel mes futbollistëve të Lirisë dhe Trepçës/ TOPSPORTI/ D. S.
Dy kartona të kuq, në barazimin mes Lirisë e Trepçës
11 September, 2021 @19:09
Dy skuadrat që dikur kanë bërë gara në Superligë të Kosovës, ndërsa tash e sa stinorë po militojnë në Ligë të Parë të Kosovës, Liria e Trepça kanë barazuar në Përparim Thaqi sot.
Bardhezinjtë e Prizrenit kanë qenë në dy raste më afër golit sesa xehetarët, që kanë pasur një rast të mirë dhe më konkret sesa vendasit, për të përfunduar ndeshja në prani të rreth njëqind shikuesve, baraz 0-0.
Pas pjesës së parë shterpe, Trepça e drejtuar nga Emin Baliqi krijoi një rast të mirë, por futbollistët e saj s’u gjendën mirë në zonë të prizrenasve për të shënuar.
Në pjesë të dytë, Liria e kërkoi më shumë golin, por pos një shtylle pas goditjes me kokë nga krosimi i Liridon Fetahajt, gol nuk kishte.
Edhe një rast i mirë i prizrenasve shkoi huq, kur braziliani i skuadrës çoi topin në rrjetë të Silas Opukut me finte, por pak më parë anësori kishte sinjalizuar faul, që ngjalli pakënaqësi te vendasit.
E kah fundi i ndeshjes, pas minutës së 80 derisa bëhej gati një goditje e lirë, në zonë, një futbollist i Lirisë dhe i një i Trepçës pas shtyerjes së dyanshme në luftë për pozicionim, si duket pështyen njëri-tjetrin dhe referi kryesor i ndeshjes që ishte afër, pa asnjë dyshim u dha të dyve karton të kuq.
Deri në fund të ndeshjes, Liria kishte edhe një gjysmërast, që nuk u çua deri në fund dhe kështu skuadrat ndanë pikët.
Liria pa gol të shënuar ende këtë stinor në Ligë të Parë A, ka marrë kështu pikën e parë të saj, ndërsa Trepça aktualisht mban kreun me këtë barazim, duke qenë pa humbje.