PARA DERBIT
‘Dyfytyrëshat’ e Madonninës
21 November, 2014 @13:11
Nga Giuseppe Meazza te Mario Balotelli është një listë e gjërë e lojtarëve që kanë arritur të ndërrojnë Interin për Milanin dhe anasjelltas.
Disa kanë qenë kthime të famshme në Milano, duke e ndërruar befasisht ekipin e qytetit - dhe duke e përjetuar derbin e madh botëror me dy fanellat.
Faqja zyrtare e UEFA-së ka bërë një përzgjedhje të pesë lojtarëve më me famë të viteve të fundit që e kanë shijuar derbin e qytetit me të dyja fanellat, para ndeshjes që luhet të dielën.
RONALDO (Inter 1997-2002, Milan 2007-2008)
Fenomeni Ronaldo erdhi te Interi nga Barcelona në verë të vitit 1997, ndërsa 25 golat e tij nuk ishin të mjaftueshme që Neroazzurrët të fitojnë Scudetton. Pas viteve me lëndime, ai erdhi te Milan nga Real Madridi dhe shënoi ndaj ish klubit të tij në Derby della Madonnina përkundër se Milan kishte humbur nga Interi 2-1. “Vetëm kujtime të mira kam nga të dy ekipet,” ka thënë Ronaldo në vitin 2012.
CHRISTIAN VIERI (Inter 1999-2005, Milan 2005-2006)
Sulmuesi qendror i fuqishëm Vieri shënoi 103 gola për Interin në 6 stinorë, por fitoi vetëm një trofe në këtë kohë, Kupën e Italisë 2004/05. Pas mbylljes së kontratës me Interin ai kaloi te Milan. “Shpresoj të fitojë trofe më të madh,” kishte thënë ai kur kaloi te Milani. Por, pas gjashtë muajsh, përkundër se kishte kontratë dy vjeçe me Rossonerët, ai kaloi te Monaco.
ANDREA PIRLO (Inter 1998-2001, Milan 2001-2011)
Ndërrimet e lojtarëve ndërmjet dy klubeve nuk janë të pazakonshme. Së fundi ata ndërruan Giampaolo Pazzinin dhe Antonio Cassanon. Por, ajo më e theksuara ka qenë kur Inter ia jep Milanit, Andrea Pirlon dhe Clarence Seedorfin për Andres Guglielminpietron dhe Francesco Cocon. Dyshja Pirlo-Seedorf me Milanin fitojnë Ligën e Kampionëve, derisa kreu i deridjeshëm i Interit, Massimo Moratti ka pranuar: “Shitja e Pirlos te Milani ka qenë gabimi më i madh gjatë kohës sa kam qenë unë kryetar i klubit te Interi. E doja shumë atë.”
HERNAN CRESPO (Inter 2002-2003 dhe 2006-2009, Milan 2004-2005)
Hernan Crespo, përkundër se kishte shënuar dy gola në finale të Ligës së Kampionëve për Milanin, ekipi i tij nuk kishte arritur që të fitonte trofeun duke u mposhtur nga Liverpooli në vitin 2005. “Ajo ndeshje nuk harrohet, por tani jam krenar që kam qenë pjesë e saj,” kishte thënë argjentinasi vite më vonë. Pas disa viteve me Chelsean, ai iu kthye në qytet, por te Interi, me të cilin fitoi tre Scudetto dhe një Superkupë të Italisë.
ZLATAN IBRAHIMOVIC (Inter 2006-2009, Milan 2010-2012)
Mr. Scudetto. Sulmuesi suedez arriti te Interi në vitin 2006 dhe morri tre tituj me Neroazzurrët para se të ikte për Barcelonë. Një vit më vonë kaloi te Milan, duke e shënuar penalltinë vendimtare në Derby della Madonnina para Curva Nord, ku qëndrojnë tifozët e Interit. “Ata bënë gjithçka për të më dekoncentruar, por unë e dija se do të shënoja,” kishte thënë Ibra i madh, që ndihmoi Milanin të fitojë Scudetton në vitin e parë të tij te Rossonerët.