HAJVALIA - FERONIKELI
E pesta me radhë për kampionin
28 October, 2016 @15:34
Ferronikeli ka triumfuar në Kishnicë në një goleadë ku u shënuan pesë gola.
Goli i shënuar shpejt në pjesë të dytë të ndeshjes nga ana e Mendurim Hotit, që kaloi edhe portierin vendas për të shënuar - u tregua të jetë vendimtar për fitoren e pestë me radhë të ekipit të drejtuar nga Afrim Tovërlani.
Pas këtij goli ndeshja u qetësua tërësisht, ku Feronikeli dominonte në posedim, e Hajvalia përkundër se mundohej, kapaciteti i lojtarëve nuk lejonte që të kërkonin më shumë.
GOLEADA E PJESËS SË PARË
Pjesa e parë e ndeshjes ishte e paparashikueshme për të dyja palët. Ferronikeli shënonte, Hajvalia barazonte menjëherë. Një goleadë e vërtetë në Kishnicë.
Ka qenë së pari Mentor Zhdrella që shënoi pas asistimit të Blerand Kurtishajt, ndërsa Hajvalia barazoi menjëherë kur një goditje drejt portës u devijua nga Behar Maliqi për 1-1.
Kampioni i Kosovës përsëri morri iniciativën dhe shënoi, kësaj radhe përmes vetë Blerand Kurtishajt, 2-1. Mirëpo, as kjo epërsi e kampionit nuk zgjati, pasi që Etrit Halimi dy minuta më vonë shënoi në portën e Flamur Nezirit (një herë i ftuar nga Albert Bunjakut me përfaqësuese të Kosovës), 2-2.
NGRITJA E FORMËS
Feronikeli tashmë ka regjistruar fitoren e tetë të stinorit duke i bashkangjitur mirë e mirë kreut të Superligës, ndërsa Hajvalia mbetet ende në fund të klasifikimit.
Feronikeli duelin tjetër e ka derbi të vërtetë kur udhëton në Pejë për t’u ndeshur me Besën, ndërsa Hajvalia pret Ferizajin.