LLAPI - TREPÇA '89

E treta rresht, i afrohet kreut
9 March, 2019 @15:29
Vazhdon forma e mirë e Llapit në pranverë!
Pas fitoreve të njëpasnjëshme në takimet e vështira ndaj Prishtinës dhe Gjilanit, llapjanët sot kanë shënuar fitore të rëndësishme ndaj Trepçës ‘89 në Podujevë.
Seria e golave u hap nga Valmir Veliu i vendasve në minutën e 7’, derisa mysafirët reaguan me golin e Gëzim Rusit në minutën e 20’, para se Ahmed Januzi në formë të shënojë për 2-1 në minutën e 32’ të ndeshjes. Në minutat në vazhdim të ndeshjes gola të tjerë nuk pati deri në minutën e parë të kohës të shtesë, moment në të cilin Festim Alidema e vulosi fitoren e vendasve duke shënuar për 3-1.
Rastin më të mirë për shënim kur rezultati ishte 2-1 e pati Diawara i mitrovicasve, i cili dështoi të shënojë nga pika e bardhë në minutën e 53’ të ndeshjes, duke ia mohuar kështu barazimin e rezultatit skuadrës së tij.
Kjo fitore e ngrit Llapin në vendin e dytë, të paktën përkohësisht, dhe e afron me kreun e klasifikimit, i cili momentalisht i takon Feronikelit nga Drenasi.
Kujtojmë që kjo është ndeshja e fundit e ciklit të dytë të sezonit 2018/2019 të Superligës, derisa 11 xhirot e ciklit të fundit do të përcaktohen sipas sistemit të Bergerit.