5 PËR FUNDJAVË!
‘El Clasico’ dhe të tjerat…
Shkruan: G.P
26 October, 2018 @18:00
Pas mesjavës me top-ndeshje evropiane në Champions e Europa League, le të shohim 5 ndeshjet ‘për të mos u humbur’ nga top ligat evropiane të futbollit.
1. Dortmund vs. Hertha (e shtunë, 15:30)
Për dallim nga ajo e kaluara, kjo e shtunë duket ‘bosh’ sa i përket ndeshjeve për të mos u humbur. Ndeshje interesante mund të jetë ajo mes Dortmundit e Herthës në Bundesligë, takim të cilin të dyjat skuadrat e nisin me shumë mungesa në formacion.
Dortmundi vjen shumë i motivuar pas fitores 4-0 ndaj Atletico Madridit në Champions League, derisa forma befasuese e Bayernit ka bërë që verdhezinjtë të jenë kryesues edhe në Bundesligë momentalisht, një tjetër motivim shtesë për të fituar ndaj Herthës, kur dihet që forma ‘labile’ e Bayernit asnjëherë nuk zgjat shumë. Në anën tjetër, Hertha, që këtë sezon ka pranuar vetëm 8 gola, aq sa Dortmundi e një më pak se Bayerni, nuk di për humbje në 3 ndeshjet e fundit, statistikë që mund ta bëjë këtë duel mjaft interesant.
2. Ajax vs. Feyenoord (e diel, 14:30)
4 ndeshjet e tjera për këtë fundjavë i takojnë ditës së diel, ndërsa të shtunën, përveç Dortmundit të lartpërmendur, diçka për t’u parë mund të na ofrojë edhe ndeshja Bilbao vs. Valencia në Spanjë.
E diela fillon me derbin e famshëm holandez, atë mes Ajaxit e Feyenoordit. Dy ndjekësit e PSV-së, e cila edhe sivjet duket skuadra më e mirë holandeze, mes vete përballen me fillim nga ora 14:30. ‘De Klassieker’ nis me Ajaxin favorit në letër, përkundër që skuadrat janë pranë njëra-tjetrës në tabelë, mirëpo fakti që Feyenoordi nuk ka fituar ndaj Ajaxit në ndeshjet e ligës që nga sezoni 2011/2012 tregon se pse Ajaxi llogaritet favorit edhe këtë fundjavë.
3. Barcelona vs. Real Madrid (e diel, 16:15)
Për shkak të të drejtave televizive dhe në mënyrë që koha e ndeshjes të jetë ‘e përshtatshme’ për të gjitha kontinentet/zonat kohore, ‘El Clasico’ luhet me fillim nga ora 16:15 sipas kohës tonë lokale. Për herë të parë që nga viti 2009, derbi më i madh i futbollit botëror do të luhet në mungesë të Leo Messit (i lënduar) dhe Cristiano Ronaldos (tashmë lojtar i Juventusit), dyshe që padyshim që do t’i mungojë përballjes të dielën.
Padyshim, Barcelona është më në formë se Real Madridi dhe takimi i së dielës për mendimin tim personal do të mbyllet me fitoren e Barcelonës dhe rrjedhimisht do të jetë goditja e fundit për Lopeteguin e madrilenëve, i cili do të shkarkohet pak orë pas ndeshjes, ose të hënën në mëngjes.
4 xhiro rresht pa fitore në ligë janë shumë për klubin më të madh në botë, ndërsa edhe fitorja ndaj Plzenit në mesjavë nuk ishte aq e lehtë sa duket, me skuadrën çeke që në pjesën e parë shumë lehtë mund të kishte shënuar 2-3 herë. Prandaj, një humbje të dielën do të ishte fundi i Lopeteguit te Reali.
Gjithsesi, përkundër mungesave të Messit e Ronaldos, apo formës aktuale të skuadrave, ‘El Clasico’ nuk bën të mos shikohet!
4. Napoli vs. Roma (e diel, 20:30)
Një takim që rrallë ‘i tradhton’ adhuruesit e ndeshjeve me shumë gola. Napoli i Ancelottit për pak sa nuk fitoi ndaj Parisit në Francë në mesjavë, derisa Roma, si zakonisht me formë të luhatshme nga ndeshja në ndeshje, e mposhti bindshëm CSKA Moskën, për ta shtuar vetëbesimin para përballjes në Napoli. Në marsin e këtij viti Roma triumfonte 2-4 në ‘Sao Paolo’, mirëpo këtë sezon vështirë se do të përsëritet një gjë e tillë, me Napolin që është shumë më mirë se Roma, të paktën momentalisht.
5. Marseille vs. PSG (e diel, 21:00)
Fitoi apo humbi, të gjithë jemi të vetëdijshëm që Parisi përsëri është i pandalshëm në Francë, sidomos kur dominimit parisien i shtohet edhe rënia drastike e Monacos këtë fillim sezoni.
Gjithsesi, ndeshja mes Marseillet e Parisit shpesh di të jetë atraktive. Vitin e kaluar po e njëjta ndeshje përfundonte 2-2, me Cavanin që barazonte shifrat në 90+3’, pak minuta pas përjashtimit të Neymarit për sjellje josportive, kujtime këto që na tregojnë se ndeshja mes këtyre skuadrave këtë fundjavë përsëri mund të jetë interesante, mirëpo për shkak që Napoli vs. Roma starton gjysmë orë më herët, shpresojmë që të mund ta bëjmë zgjedhjen e duhur dhe ta ‘kapim’ pjesën më të mirë prej seciles ndeshje.