SHKËNDIJA
Eliminimi nga garat evropiane, lë pa punë Gjokën
30 July, 2021 @14:57
Skuadra e Shkëndijës së Tetovës, që është kampione e Maqedonisë Veriore, ka bërë të ditur se ka ndarë rrugët me trajnerin nga Tirana, Ernest Gjoka.
Edhe pse në kampionatin vendor ata fituan titullin, mos arritja e kalimi të asnjë rrethi në gara evropiane si duket ka çuar në ndarjen mes trajnerit dhe ekipit, me marrëveshje, si thuhet në njoftimin e kuqezinjëve.
Shkëndija u eliminua nga kampioni letonez, Riga, duke humbur dy ndeshjet, 0-1 në shtëpi dhe 2-0 jashtë. Kjo në rrethin e dytë të Ligës së Konferencës, pasi që kishin rënë nga rrethi i parë kualifikues i Ligës së Kampionëve, duke u mposhtur nga Mura sllovene, duke humbur gjithashtu në të dyja ndeshjet, 0-1 në shtëpi dhe 5-0 jashtë.
Pa gol të shënuar në Evropë dhe të eliminuar shpejt, Shkëndija ka bërë të ditur se do të njoftojë shpejt për trajnerin e ri të skuadrës.
Stinori i ri në Maqedoninë Veriore nis më 8 gusht, ndërsa tetovarët do të duhet të reagojnë shpejt për trajnerin e ri.