EFL CUP
Eliminohet Liverpooli, Southamptoni në finale
25 January, 2017 @22:56
Finalisti i parë i EFL Cup është Southamptoni.
‘The Saints’ zhvilluan një paraqitje shumë të mirë sonte, me mbrojtje solide dhe me kundërsulme të organizuara mirë, duke mos e lejuar Liverpoolin ta gjejë golin e epërsisë dhe duke u kualifikuar kështu në finale të Kupës së Ligës. Në fakt, kur u mendua se ndeshja do të mbyllej pa gola, rezultat që gjithashtu i konvenonte Southamptonit pasi që e kishte fituar 1-0 ndeshjen e parë, Shane Long doli në skenë dhe shënoi për 0-1, duke bërë që Southamptoni të kualifikohet për në finale me fitore në të dyja ndeshjet e gjysmëfinales.
Në anën tjetër, kjo ishte humbja e dytë radhazi për Liverpoolin në ‘Anfield Road’ brenda pak ditëve.
Në finale Southamptoni e pret fituesin e duelit Hull City vs. Manchester United dhe me shumë gjasë do të luajë ndaj ‘Djajve të Kuq’, marrë parasysh faktin që skuadra e Mourinhos e ka fituar 2-0 takimin e parë në ‘Old Trafford’ dhe vetëm një befasi e dorës së parë do të mund t’i eliminonte ata nesër mbrëma.
Finalja e EFL Cup luhet në Wembley në fund të muajit shkurt.