KLINË
Ergyn Ahmeti kalon te Dukagjini
21 July, 2021 @13:58
Mesfushori qendror, Ergyn Ahmeti, do të vazhdojë të luajë në Superligë edhe pas ndarjes me nënkampionen e Kosovës, Drita.
Futbollisti 25-vjeçar sot është zyrtarizuar si lojtar i ri i ekipit të rikthyer në Superligë, Dukagjini, ndërsa klubi ka bërë të ditur se ai ka nënshkuar kontratë 1-vjeçare.
Mitrovicasi më parë ka qenë pjesë edhe e Prishtinës dhe Trepçës. Ahmeti përveç që e ka pozitë natyrale atë të mesfushorit qendror, sipas nevojës mund të luajë edhe atë të mesfushorit mbrojtës, por edhe ofanziv në disa raste.
Trajneri i Dukagjinit Armend Dallku e njeh nga afër Ahmetin, pasi që dyshja ka punuar më parë bashkë, derisa ishin pjesë e bardhekaltërve nga kryeqyteti.
Dukagjini i është kthyer Superligës pas 17-vitesh garim në rangjet më të ulëta të futbollit kosovar, por kryesisht ka qenë pjesë e Ligës së Parë.