FERONIKELI-GJILANI
Feronikeli njofton Gjilanin me humbje
30 October, 2017 @14:54
Pas 13 xhirove të zhvilluara në Superligën e Kosovës, tashmë nuk ka ekipe të pamposhtura së paku njëherë.
Gjilani, që deri sot mbajti epitetin e të pamposhturit, është thyer në Drenas sot nga Feronikeli duke u mposhtur 2-1 në një ndeshje tejet aktive, sa i përket rasteve, por edhe luftës në terren për çdo top.
Feronikeli erdhi shpejt në epërsi kur Mark Milicaj shënoi nga larg për epërsinë 1-0 të vendasve.
Ndërsa më pas, Behar Maliqi humbi penalltinë e përsëritur për Feronikelin, pasi që të parën e anuloi referi për shkak se portieri Donat Kaçiu kishte dalë nga vija e tij.
Edhe një penallti u fitua 12 minuta para fundit të pjesës së parë nga Feronikeli. Mirëpo, kësaj radhe u ekzekutua nga Milicaj, që shënoi për herë të dytë në ndeshje për t’i dhënë epërsinë 2-0 djelmoshave të Zekirija Ramadanit.
Armend Thaqi i Gjilanit u kundërpërgjigj me gol, për të mos e lënë qetë Feronikelin në pushim. Thaqi shënoi 2 minuta para fundit të pjesës së parë, për 2-1.
Në pjesën e dytë përkundër iniciativës më të madhe të Gjilanit, Feronikeli u mbajt mirë dhe provoi në mënyrë të vetë, mirëpo përveç dy kartonave të kuq të shpërndarë nga referi i ndeshjes (Fillonit Shaqiri te Gjilani (2 të verdha) dhe Haxhi Shala te Feronikeli (2 të verdha)) ndryshim në rezultat nuk kishte.
Me këtë fitore Feronikeli çon numrin e pikëve në 19 dhe kap pozitën e gjashtë, derisa Gjilani mbetet në pozitën e pestë.
Në xhiron e radhës, Feronikeli do të jetë mysafir i Besës në Pejë, ndërsa Gjilani pret liderin e Superligës, Llapin.