PAS SUSPENDIMIT
Ferronikeli reagon ashpër ndaj suspendimit të Shabanit
4 March, 2015 @17:41
Komisioni Disciplinor i Federatës së Futbollit të Kosovës ka dënuar me 3 ndeshje moslojë futbollistin e Ferronikelit, Xhevdet Shabani, i cili u përjashtua me karton të kuq nga ndeshja e fundit e Ferronikelit ndaj Kosovës së Vushtrrisë.
Shabani ishte fjalosur me referin e ndeshjes, derisa në vendim të KD-së shkruan, ofendime drejtuar asistentit të parë, si arsyetim për 3 ndeshje suspendim.
Sidoqoftë, ky vendim është vlerësuar të jetë tejet i ashpër nga klubi drenicak dhe pa kaluar shumë kohë pas daljes së vendimit në shesh ka reaguar ashpër klubi i Ferronikelit.
“Dënimi është jashtë çdo norme logjike dhe morale, derisa dihet që kreu i KD-së është tendencioz dhe i njëanshëm ndaj klubit tonë, pasi që të njejtin e kemi përjashtuar nga klubi kur ka qenë futbollist dhe kjo është hakmarrje e tij,” thuhet fillimisht në njoftimin e Ferronikelit të botuar në Facebook pasdite.
“Për dijeni futbollistët vendas e kanë fyer referin në të gjitha format e mundshme dhe poshtëruese, derisa këta të fundit janë mjaftuar me kartona verdhë,” cek më tutje reagimi i klubit lider të Superligës.
“E dimë se lufta ndaj nesh ka filluar që nga xhiroja e parë, por ne nuk do të ndalemi derisa djersa e vullneti i lojtarëve është më i madh sesa i pazarxhive të çajtoreve pranë FFK-së,” shkruan më tej në këtë reagim.
Ferronikeli ka kërkuar nga kryetari i FFK-së dhe Sekretari i Përgjithshëm i saj, Fadil Vokrri përkatësisht, Eroll Salihu, që të mos lejojnë disa individë të prishin imazhin e kampionatit para pranimit në UEFA e FIFA.
“Ne kësaj radhe do të reagojmë në këtë formë, derisa nuk i përjashtojmë edhe reagimet tjera, pasi kemi bërë investime dhe nuk do të lejojmë që djersa dhe mundi i lojtarëve të shkojnë huq për interes të disa matrapazëve të futbollit,” thuhet në fund në këtë reagim të nënshkruar nga Bordi i klubit lider të Superligës.
Ferronikeli është treguar ekipi më stabil me futbollin e treguar në fushë gjatë gjithë këtij stinori, derisa është fitues i fundit të Kupës së Kosovës.
Ekipi nga Drenasi është lider i Superligës së Kosovës dhe ka befasuar shumëkë me lojërat e treguara dhe kompaktësinë e skuadrës nën drejtimin e trajnerit Gani Sejdiu.