MEDIA

FFK: Shpresojmë të respektohet ligji
7 October, 2018 @11:00
Stërshitja e biletave para përballjes ndaj Ishujve Faroe, ka bërë që FFK kësaj radhe të nis shitjen e biletave prej të hënës (8 tetor 2018) për ndeshjen e 11 tetorit ndaj Maltës në Prishtinë.
Ndërsa, zyrtarja e marketingut në FFK, Diturie Hoxha ka thënë se shpreson që ipko të zbatojë ligjin, ku thuhet se një person nuk mund të merr mbi shtatë bileta për ndeshje.
“Edhe në këtë ndeshje nuk do të ketë shitje online, por do të blihen në pikat e ipkos. Me ligj është paraparë që të mos i shiten më shumë se shtatë bileta një personi dhe ne shpresojmë që ipko të respektojë këtë. Besojmë se interesimi do të jetë tejet i madh, sikurse për ndeshjen ndaj Ishujve Faroe,” ka thënë Hoxha, në deklaratën e saj për Kohën ditore ditë më parë.
Biletat e ndeshjes së kaluar brenda ditës ishin shitur dhe kishin mbetur vetëm ato prapa golave dhe të zonës VIP, që kanë më së paku interesim. Ndërsa ato të Lindjes dhe Perëndimit ishin avulluar shpejt.
LEXO: ÇMIMET E BILETAVE DHE PIKAT E SHITJES
Më pas, në faqet e shit-blerjeve online u shfaqën biletat brenda ditës, me çmime deri tre-katërfish më shtrenjtë sesa që shkruante në biletë.
Përkundër kësaj, FFK ende nuk ka bërë një portal online për shitjen e biletave, ku çdo kush do të mund t’i qasej online biletës dhe do të dihej secili që e blen atë.
I njejti rast edhe më parë ka qenë në duelet e Shqipërisë, derisa FSHF me kalimin e shitjes online, tashmë nuk ka probleme të natyrës së tillë.