PRISHTINA - LLAPI
Morina në minutat shtesë shpëton Prishtinën
6 October, 2018 @20:20
Prishtina ka shënuar fitoren e pestë të stinorit dhe ka mbajtur hapin ndaj kryesuesit të klasifikimit, Feronikeli, me fitoren e sotme ndaj Llapit, 2-1.
Llapi i Bylbyl Sokolit nisi më mirë ndeshjen. Podujevasit avancuan që në minutën e dhjetë të ndeshjes duke shokuar vendasit, kur Hamdi Namani asistoi dhe Behar Maliqi u tregua i saktë me kokë, për të mposhtur Visar Bekajn dhe për të marrë epërsinë 0-1.
Nuk kishte gol më në pjesë të parë, ndërsa Prishtina nuk po premtonte me lojë. E në pjesë të dytë bardhekaltërit vendas nisën më mirë, që rezultoi në barazim.
Ka qenë një aksion i bukur i vendasve, kur Lorik Boshnjaku gjen reprezentuesin Armend Thaqi, i cili asiston në zonë, ku Basit Khalid nuk fal dhe barazon në 1-1 në minutën e 60-të të ndeshjes.
E më pas, Llapi mbeti me 10 lojtarë në fushë pasi që Bujar Idrizi i Llapit morri karton të kuq, që bëri Prishtinën të hidhej plotësisht në sulm.
Deri në fund, golat nuk erdhën, përkundër insistimit të prishtinasve të drejtuar nga Mirel Josa, dhe kur dukej se ndeshja po përfundonte me barazim ka qenë zëvendësuesi Mario Morina që ka shënuar në minutat shtesë të ndeshjes për fitore.
Morina pranoi një top të bukur nga krosi i Armend Dallkut dhe u gjend më së miri në zonë, për të çuar për herë të dytë Prishtina topin në rrjetën e Eglant Haxhos së Llapit, për të fituar ndeshjen 2-1 në minutën e 91-të të takimit.
Prishtina me këtë fitore tash grumbullon 18 pikë dhe ngritet përmbi Llapin në klasifikim, e këta të fundit mbesin në 16 pikë dhe 7 pikë larg kryesuesit Ferronikeli.