5 PËR VIKEND
TOP 5-shja e fundjavës
Shkruan: Luan MORINA
5 October, 2018 @16:53
TOP 5 duelet e fundjavës në ligat e forta evropiane të futbollit.
Leiceser City – Everton (e shtunë, ora 4)
Në gjysmë shekullin e fundit, këto dy ekipe të cilat janë më seriozet në misionin e tyre për të konkurruar Top6-shin anglez, vetëm dy herë kanë luajtur pa gola. Pak më të shpeshta janë rastet kur vetëm një gol përcakton fituesin e kësaj përballjeje, e cila rrallë mbetet nën katër gola të shënuar. Pos golave, dy arsye pse duhet të shihni këtë ndeshje janë Gylfi Sigurdson dhe sidomos James Maddison. Për këtë të fundit zor që keni dëgjuar para fillimit të këtij sezoni. Të dy janë nominuar për lojtarët më të mirë të muajit shtator, dhe atë me plotë mëritë.
Bayern – Monchengladbach (e shtunë, ora 6e30)
E shtuna para orarit të kombëtareve zakonisht është më pak e populluar me ekipe të mëdha si pasojë e mes-javës evropiane. Ky rregull i pashkruar nuk vlen në Bundesligë. Bayerni më shumë ka arsye të shkarkojë Kovacin sivjet se sa që kishte të shkarkonte Ancelottin vitin e kaluar. Ndonëse të dyja ekipet të prekura nga lëndimet, Bayerni ka më shumë alternativa të mbulojë mungesat. Në anën tjetër, BMG me Dieter Hecking po arrijnë të sistemojnë të ardhurit e kësaj vere, sidomos Alassane Plea. E edhe Thorgan Hazard po kalon ndoshta sezonin më të mirë në karrierë. Ka arsye për të besuar që mysafirët mund të nxjerrin pikë të vlefshme në ‘Allianz-Arena’.
Liverpool – Manchester City (e diel, ora 5e30)
Forma e Liverpoolit të kujton sezonin e parafundit të Cityt. Ekipi i Guardiolës ka të gjitha kushtet për të fituar këtë ndeshje, sidomos formën jo të mirë të Salahut. Edhe pse janë dy nga favoritët (e vetëm) që mund të vendosin kampionin e ri anglez, është herët të veçohet si ndeshja që mund të përcaktojë sezonin. Por, kjo mund të ndodhë nëse City ikën me tri pikë nga Anfield. Cili ekip tjetër mund të konkurrojë për titull? Chelsea i Sarrit?
Benfica-Porto (e diel, ora 6e30)
Në kundërshtim me ndeshjen e parë të kësaj liste, derbi portugez mezi që kalon shifrën prej dy golave total në ndeshje. Hera e fundit që njëra nga këto dy ekipe ka shënuar tre gola në këtë përballje në ligë ka qenë para shtatë viteve. Të dyja ekipet kanë talente, por jo nga vitet e arta kur arrinin në finalet e kupave evropiane. Në krahasim me ndeshjet tjera në këtë orar të dielën, del të jetë më e mira. Së paku pjesa e dytë pas përfundimit të derbit anglez.
PSG – Lyon (e diel, ora 9)
Gjashtëshja ndaj Zvezdës më shumë tregon dobësinë e serbëve se sa superioritetin e francezëve. Por, një gjë që tregon një PSG krejt ndryshe nga vitet ‘katareske’ është harmonia që ka sjellë në ekip Thomas Teuchel. Gjermani ka inkorporuar shumicën e lojtarëve të rinj të cilët po përshtaten me yjet e fazës së sulmit. Mbi të gjitha, ‘pajtueshmëria’ e vet yjeve në ekip për momentin është recetë e suksesit të PSG. Ndërkohë Lyon po imiton Monacon e viteve të fundit, dhe vetveten e para një dekade. Kanë një ekip të mbushur me talente, të cilat nuk kanë frikë të shfaqin më të mirën edhe ndaj PSG. Derbi francez para dy jave pushim nga garat ekipore.