LLAPI - FERONIKELI
Fazliu për distancë në krye
3 October, 2018 @23:52
Derbi i kryesuesve të Superligës zhvilluar sot në Zahir Pajaziti të Podujevës i takoi Feronikelit.
Ish sulmuesi i shumë ekipeve kosovare, Astrit Fazliu, ka shënuar golin e vetëm të takimit, që ka mbajtur Feronikelin në krye si dhe ka ngritur distancën ndaj përcjellësit kryesor, Llapit, në katër pikë.
Fitorja e drenicakëve bëhet edhe më e rëndësishme kur dihet që tërë pjesën e dytë ata e luajtën me 10 lojtarë në fushë. Kjo, pasi që sulmuesi Kastriot Rexha ishte përjashtuar me karton të kuq nga referi i ndeshjes, për shkak se kishte goditur me top kundërshtarin që e kishte fauluar.
Në pjesë të parë s’kishte edhe shumë raste për gol, përveç një tentimi tejet ambicioz të Festim Alidemës së Llapit. E në pjesë të dytë kanë qenë disa raste të shënuara. Së pari Yll Hoxha tentoi për mysafirët (48’), e pastaj Hamdi Namani për vendasit (55’) para se edhe Behar Maliqi (57’) të provojë fatin.
Dhe kur pritej shtypje edhe më e madhe e ekipit të Bylbyl Sokolit drejt portës së mysafirëve të drejtuar nga Zekirija Ramadani, në skenë doli Fazliu.
Ai me një goditje të bukur volej, shënoi për 0-1 (72’), që ka çuar në fitore ekipin e tij, derisa në 10 minutat e fundit tentimet e vendasve u ndalën nga portieri i niklit, Florian Smakiqi.
Pas fitores, Feronikeli ngritet në kuotën e 20 pikëve dhe është lider për të dytën javë me radhë në Superligë, ndërsa Llapi tash mbetet 4 pikë larg kreut me 16 pikë, 1 më shumë sesa Prishtina që është e treta.
11-shet startuese:
LLAPI: | Haxho, Jashari, Sinani, Emini, Idrizi, Namani, Shabani, Maliqi, Blakçori, Alidema, Hajdari. Kryetrajner: Bylbyl Sokoli | ||
FERONIKELI: | Smakiqi, Islami, Prekazi, Lladrovci, Hoxha, Dabiqaj, Morina, Fazliu, Da Silva, Hoti, Rexha. Kryetrajner: Zekirija Ramadani |