KOLUMNE
Mourinho dhe sindroma e vitit të tretë
Shkruan: Blerim MYFTIU
3 October, 2018 @16:54
Lindja e të veçantit
“Mos më quani arrogant, por jam kampioni i Evropës dhe mendoj se jam i veçantë”, ka qenë deklarata në konferencën për shtyp e Jose Mourinhos, diku në vitin 2004, pak kohë pasi është shpallur kampion i Evropës (për të parën herë) me Porton, skuadrën modeste krahasuar me gjigantët e tjerë evropianë të kohës së atëhershme dhe të sotme. Ka ndodhur që këtë shumë herë të tjera të përsërit, sidomos kur është grindur me gazetarët. Derisa nofkat u vihen njerëzve zakonisht nga të tjerët, ndoshta ky është prej shembujve të rrallë kur vetë personi vetes ia vë nofkën. Sigurisht se edhe zgjedhja është më e mira e mundshme – speciali apo i veçanti, në rastin e Mourinhos.
Gjatë dekadës së parë të këtij mijëvjeçari Mourihno ka qenë trajneri më i shquar dhe më i respektuar, kulmin e Evropës e ka prekur edhe një herë me Interin në 2010. Para Interit dy herë ka fituar titullin e Anglisë me Chelsean dhe ia ka trasuar rrugën Di Matteos që Chelsean ta bëjë kampion Evrope me 2008, pak pas largimit të Mourinhos. Shumë herë është kritikuar edhe gjatë asaj periudhe, sidomos për taktikën defansive dhe “autobusin” në zonën e 16-metërshit. Por, suksesi i ka mbuluar të gjitha. Prandaj, edhe “arroganca” e tij në komunikim me lojtarët dhe veçmas gazetarët shpesh janë hedhur pas syve dhe pas veshëve.
Mirëpo, mungesa e vazhdimësisë së rezultateve në klubet e kësaj dekade (Real, Chelsea dhe tani Manchester United) dhe mosarritja në fronin e Evropës, i ka bërë drejtuesit e klubeve, tifozët dhe rrethin futbollistik më pak të durueshëm ndaj portugezit dhe u ka hapur rrugë “shkëputjeve të parakohshme” të kontratave. Dita-ditës këtij fati po i afrohet edhe te djajtë e kuq dhe vështirë duket qëndrimi në stol deri në Krishtlindjet (një lloj mes-përfundimi stinori në Angli).
Sindroma e vitit të tretë
Një ditë pas titullit të fituar me Interin (2010) pati deklaruar se “me gjasë kjo ka qenë ndeshja ime e fundit në stol”. Një trajner nuk do të bëhej kurrë një trajner i plotë dhe i dëshmuar pa e udhëhequr ekipin më të suksesshëm evropian, Realin e Madridit. Çarja e tij me lojtarët e kreun e klubit filloi në stinorin e tretë (2012/13). Deklarimi i tij pas eliminimit nga Liga e Kampionëve se “nuk është i lumtur, i dashur në Madrid dhe se ka vende të tjera ku duhet më tepër nga të tjerët” (duke aluduar në Anglinë), mosmarrëveshjet me Sergio Ramosin dhe Iker Casillasin, kritikat e hapura të tij ndaj Cristiano Ronaldos qenë problemet brendafamiljare që me kalimin e kohës u bënë të patejkalueshme. Kur mungon edhe titulli si në Spanjë, ashtu edhe në Evropë, menaxhmenti nuk do ta ketë të vështirë t’ju vë para dere. Prandaj, përkundër zgjatjes paraprake të kontratës, palët do të deklarojnë në fund të stinorit se “shkurorëzohen”.
Ai u kthye në qershor të 2013-s për herë të dytë në Angli, prapë në Chelsea, në vendin ku thoshte se “e di që tifozët dhe mediet më duan”. Këtu, në stinorin e dytë (2014/15) e fitoi titullin e kampionit dhe u shpall menaxheri më i mirë i stinorit. Viti i tretë (në atë që do të shndërrohet në sindromë) nisi me vetëm 11 pikë në 12 ndeshje për Chelsean, sa që Krishtlindjet blutë i pritën me 9 humbje nga 16 ndeshje – arsye e mjaftueshme që më 17 dhjetor 2015, pas drekës 10-minutëshe, drejtuesit e Chelseat të deklarojnë se “klubi dëshiron të qartësojë se Jose largohet në mirëkuptim dhe do të mbetet figurë e dashur, e respektuar dhe domethënëse në klubin Chelsea” – dhe ta shkarkojnë.
Kur do të shkarkohet nga Manchester United?
Mourinho vë në pah shkurtpamësinë e adhuruesve të sportit kur bëhet fjalë për rezultatet. Mund të keni fituar gjithçka që keni mundur një stinor më herët, por nëse në stinorin aktual humbisni pikë pa dhembje dhe rezultatet ngecin, historia nuk ka peshë. Pas barazimit të fundit në Ligën e Kampionëve kundër Valencias, në fushë të vetë, Mourinho përmendi se stinorin e kaluar ka qenë nënkampion, e ka fituar Ligën e Kupës së Anglisë dhe trofeun evropian të Ligës së Evropës. Ai është i vetëdijshëm se këto kupa duhet të fitohen përvit nëse je trajner i United, Cityt, Chelseat apo Liverpoolit, por e blen kohën në pritje në 1-2 fitoreje që do t’ia zgjaste sadopak qëndrimin në Manchester. Së paku, për nga natyra nuk është se dorëzohet, por duhet të shkarkohet me një gjuhë diplomatike nga kryesia.