KUPA E KOSOVËS
Fitore e thellë në Gjakovë, shumë pranë finales
17 April, 2019 @16:52
Me fitore 0-4 të mysafirëve është mbyllur dueli i parë mes Vëllaznimit dhe Trepçës ‘89 në Gjakovë, duel ky i vlefshëm për fazën gjysmëfinale të Kupës së Kosovës. Ky rezultat bën që mitrovicasit ndeshjen e kthimit ta presin në komoditet të madh dhe të jenë shumë pranë finales, sidomos kur dihet që Vëllaznimi nuk po kalon një formë të mirë në ndeshjet jashtë shtëpisë.
Seria e golave u hap në minutën e 21’ të ndeshjes. Një goditje e Arb Manajt nuk u largua siç duhet nga portieri Muhaxhiri i vendasve, e topin e devijuar nga portieri gjakovar në rrjetë e dëboi Engjëll Hoti, për t’ia dhënë epërsinë fillestare mysafirëve.
Pak para fundit të pjesës së parë, për 0-2 shënoi Arb Manaj me të djathtën, për ta dërguar skuadrën e tij me epërsi të dyfishtë.
E në pjesën e dytë, përkundër disa rasteve për shënim të gjakovarëve, të cilat nuk u shfrytëzuan siç duhet, ata që e gjetën golin ishin përsëri mitrovicasit. Pas një kundërsulmi të shpejt në minutën e 83’ të ndeshjes, Hasan Hyseni asistoi për Ardian Mujën, i cili me të djathtën e gjeti cepin e portës vendase për 0-3, e më pas ndeshjen e mbylli Lassine Traore, i cili shënoi pas një tjetër asistimi të Hasan Hysenit për rezultatin përfundimtar 0-4. E ky gol dhe kjo paraqitje fantastike e mitrovicasve në këtë takim u duartrokitën me sportivitet edhe nga të pranishmit në stadiumin e qytetit në Gjakovë.
Ndeshja kthyese mes skuadrave luhet në “Riza Lushta” të Mitrovicës pas dy javëve, pra më 1 maj.
FORMACIONET STARTUESE
Vëllaznimi: Muhaxhiri, Sahiti, Bardhoku, Beqiri, Syla, Rudi, Dushi, Jetullahu, Basha, Murati, Rogova. Trepça ’89: Beqiri, Pira, Asare, Basriu, Jashari, Muja, Gava, Hoti, Hyshmeri, Manaj, Hyseni. |