GJILANI vs PRISHTINA
Fitore historike për Gjilanin, bie Prishtina
26 November, 2016 @14:56
Gjilani ka shënuar fitoren e parë të pasluftës ndaj Prishtinës në kampionat sot. Ekipi i Arbnor Morinës ka rrënuar bardhekaltërit liderë përmes një goli të shënuar nga zëvendësuesi Betim Haxhimusa (u fut në ndeshje në vend të Egzon Shabanit në fillim të pjesës së dytë), që shfrytëzoi një gabim të portierit Alban Muçiqi.
Ky gabim i Muçiqit doli të jetë vendimtar në këtë ndeshje, ndërsa Gjilani ka shënuar fitore tepër të rëndësishme për ngritje në tabelë.
Trajneri i Prishtinës, Lutz Lindemann, më vonë provoi që të ndërronte diçka në lojë pasi që futi në lojë Kreshnik Lushtakun dhe Gentrit Begollin, por më kot, rezultati nuk u ndërrua dhe Gjilani arriti që për herë të parë në ligë të mposht Prishtinën, 1-0.
Në fund të ndeshjes, Gjilani mbeti me 10 lojtarë, kur Gzim Rusi morri shpejt dy kartonë të verdhë, që nuk ndikoi fare në sekondat e mbetura në lojë.
Me këtë fitore, të gjashtën këtë stinor, Gjilani kërcen në mes të tabelës me 22 pikë, derisa tash Prishtina mund të humb kreun e klasifikimit pasi që Trepça’89 luan nesër dhe në rast të fitores do të rimerr kreun e Superligës.