ANALIZË: 5 PËR FUNDJAVË!
Fundjavë franceze!
Shkruan: Luan MORINA
26 November, 2016 @7:00
1.Monaco – Marseille (e shtunë, ora 5e10)
Ka ende shpresë për futbollin francez. Së paku këtë sezon, derisa Emery të rehatoj ekipin dhe të transferoj më shumë alternativa që të mos luaj me llojin e Matuidit në krahë. Këtë parehati duket se më në fund do ta shfrytëzoj Monaco që për gjithçka duhet t’i falënderohet Jardimit.
Marseille ndoshta mund të kthehet në binarë sezonin e ardhshëm, dhe një sezon jashtë Evropës, ngjashëm si për Nicen sivjet do të ishte më i mirë për kampionatin francez. Por, pa marrë parasysh formën, kjo përballje është një nga klasiket më të mira franceze që rrallëherë zhgënjen.
2.Chelsea – Tottenham (e shtunë, ora 6e30)
Ekipi jo mjaftueshëm i thellë po dëshpëron fansat e Tottenhamit këtë sezon. E vërteta është që një ekip i përzier ndërmjet të parit dhe të dytit i Spurs nuk është më i mirë se Monaco, Leverkusen, e CSKA. Tani duhet të humbin nga rusët që të jenë të përqendruar vetëm në Angli. Shanse për titull kanë po aq sa Chelsea.
Conte ka gjetur recetën dhe akoma po funksionon. Nuk ka nevojë të ndryshoj gjë, së paku deri në Vit të Ri dhe pastaj do të duhej të komplikoheshin gjërat për Conten dhe çdo trajner fillestar në futbollin anglez. Çdo pikë që mbledhin tani është vitale për Top4 pozitat e para. I shoh favorit ndaj Tottenham për shkak të formës fizike dhe tani edhe psikike jo të mirë të mysafirëve.
3.Bayern – Leverkusen (e shtunë, ora 6e30)
Bayerni është në një krizë momentale ku do të mund t’i mposhte gjithkush. Në pozitë të tillë mund të ishte edhe Barcelona po të mos luante në La Liga. Sociedadi është i mirë, por jo aq i mirë sa Leverkuseni karshi Bayernit. Edhe pse mund të fitojnë edhe baskët, por do të nevojitet që Barcelona të humb shanse po aq sa Atletico, e nëse me Neymarin do të mund të ndodhte kjo, me Messin aty, pak më zor. Sidoqoftë, Sociedad – Barcelona është alternativë e mirë për të dielën në mbrëmje, ngjashëm si Sevilla – Valencia për të shtunën në të njëjtën kohë, 15n9.
Unë do të përzgjidhja Bayernin me Leverkusenin, pasi mundësitë që Leverkuseni të fitoj megjithatë janë më të mëdha se Sociedadi. Gjithashtu, Ancelotti duhet të provoj të rehatoj formacionin siç duhet, dhe jo të bëj vazhdimisht ndryshime sidomos në mesfushë. Schmidt nuk është as sa çereku i Ancelottit, dhe po të ishte kushdo në vend të tij, Leverkuseni do të ishte pak më i rrezikshëm si në Evropë si në Gjermani. Por, janë sikur Tottenhami, jo bash bërllog, po edhe jo bash të shkëlqyeshëm. Sot ta mposhtin Bayernin, nesër i hanë 7 copa prej Barcelonës. Por, si ndeshje. Besoj që Bayerni me Leverkusenin do të jetë po aq e mirë sa Dortmundi me bavarezët javën e kaluar, pos me më shumë gola.
4.Arsenal – Bournemouth (e diel, ora 3e15)
Njerëzit vdesin! Edhe Wengeri do të vdes një ditë, por para se të vdes do të dal në pension. Arsenali do të vazhdoj me ndonjë trajner tjetër. Sipas mediave, Eddie Howe do të duhet të ishte trajneri i ardhshëm i Arsenalit. Është krijuar një trajektore si Sir Alex me David Moyes. E dimë mjaft mirë si ka përfunduar kjo. Por, tek Arsenali s’do të duhej të ndodhte kjo për arsye se Kroenke nuk ngutet dhe nuk bie pre e mediave. Moyes nuk është më i dobët se Howe, por vetëm ka pasur nevojë për kohë.
Është interesante kjo përballje më shumë duke shikuar të ardhmen e afërt. Bournemouth di të bëj lojëra shumë të bukura, me raste. Dhe derisa Xhaka do të mbetet jashtë mesfushës, shanset për Bournemouthin dhe cilëndo skuadër tjetër për të nxjerr rezultat pozitiv janë goxha të mira.
5.Lyon – PSG (e diel, ora 9)
Lyoni është skuadra më nerva-prishëse në ligën franceze. E patën nisur për merak, pastaj nisën të humbnin, pastaj nisën të fitojnë pastaj të humbin. Nuk kanë identitet! Aulas e ka humbur magjinë e talenteve të cilat u shiste për shuma të majme anglezëve dhe spanjollëve, talente të cilat moshën më të mirë të karrierës e kalonin në Rusi dhe Turqi. PSG nuk ka bërë mjaft transferime këtë vit, dhe vërehet lodhja e lojtarëve. Dy dekadave të fundit ky duel është përballja kryesore në Francë. Ashtu pres të jetë edhe të dielën.