LIEPAJA - GJILANI

Foto: SC Gjilani
Fitorja në Prishtinë s’mjafton, Gjilani eliminohet nga Conference League
14 July, 2022 @18:03
Epërsinë 1-0 nga ndeshja e parë në Prishtinë, Gjilani i Zekerija Ramadanit nuk mundi ta mbante edhe pas ndeshjes kthyese në Letoni. Kështu, skuadra nga Kosova u eliminua nga rrethi i parë i UEFA Conference League pasi që sot u mposht me rezultat 3-1 (Karasauskas (P) 49’, Belakovic 64’, Dodo (P) 88’ / Blerim Krasniqi 51’) nga Liepaja vendase.
Pjesa e parë ishte kryesisht e qetë dhe u mbyll pa gola, ndonëse prodhoi plot 5 kartonë të verdhë, 4 për vendasit dhe 1 për Gjilanin.
Më pas, ishte pjesa e dytë ajo që ishte më interesante dhe dhuroi plot 4 gola. Për fatin e keq të Gjilanit, tri prej tyre u shënuan në portën e Koliçit.
Dy prej golave të Liepajas u shënuan nga pika e bardhë, e vendimtar ishte ai i minutës 88’, me të cilin skuadra letoneze u kualifikua tutje pas rezultatit më të mirë pas të dyja ndeshjeve.
Kështu, aventura evropiane e Gjilanit për këtë sezon mbyllet, ndërkohë që Liepaja në rrethin tjetër të Conference League do të përballet me skuadrën Young Boys, ku e pret një punë mjaft e vështirë. Kujtojmë që zvicranët sezonin e kaluar luajtën në fazën grupore të Champions League.