BARCELONA-LASPALMAS
Fitorja pa duartrokitje, për herë të parë në histori
1 October, 2017 @18:52
Barcelona ka mposhtur Las Palmasin 3-0 në Camp Nou sot. Ndeshja e parë në histori të ekipit katalanas e zhvilluar në dyert e mbyllura, që u zhvillua vetëm sa për t’i ikur dënimeve dhe gjobave të mëdha të Federatës spanjolle të futbollit.
Barcelona kërkoi shtyerjen e ndeshjes, për shkak të gjendjes së jashtëzakonshme në qytet, pasi që Katalonia po kërkon pavarësinë nga Spanja. Rrahjet brutale në qytet të policisë ndaj përkrahësve të pavarësisë, bën që ekipi të kërkoj datë tjetër për zhvillimin e ndeshjes.
Por, kjo hasi në refuzim të menjëhershëm nga Federata, që çoi përgjigje: ndeshja zhvillohet, në të kundërtën dënimet dihen.
Pas pjesës së parë 0-0, Sergio Busquets shënoi për 1-0, kur pranoi top nga Lionel Messi, ndërsa vetë Messi shënoi 2 herë tjera për përfundimtaren 3-0. Asistimet për Messin i bënë Denis e Luis Suarez.
Barcelona pas 7 xhirove ka 7 fitore dhe me pikë maksimale udhëheq La Ligan spanjolle.
Që prej vitit 1899 kur u themelua klubi i Barcelonës, sot në vitin 2017, për herë të parë në historinë 117 vjeçare të ekipit, ndeshja u zhvilla pas dyerve të mbyllura të stadiumit legjendar, Camp Nou.