5 PËR VIKEND
Fundi i stinorit 17/18
Shkruan: LUAN MORINA
12 May, 2018 @14:15
Bundesliga Finalja (e shtunë, ora 3e30)
Koln duhet të mposht Wolfsburgun, e Hamburger SV të mposht Borussian e Monchengladbachut për të mbetur edhe një herë në barazh me të tretin e Bundesliga 2. Mysafirët e HSV-së ende kanë gjasa teorike për të arritur pozitën e shtatë që dërgon në Evropë në rast se Frankfurt nuk fiton Kupën e Gjermanisë.
Xhiroja e fundit përcakton edhe ekipin e fundit që udhëton në Ligën e Kampionëve, si dhe ekipet që udhëtojnë në Europa League sezonin e ardhshëm.
Hoffenheim duhet të mposht Dortmundin që të siguroj për herë të parë Ligën e Kampionëve. Leverkuseni duhet të pres një fitore prej së paku dy golave të Hoffenheim ndaj Dortmundit dhe të mposht Hannoverin me më shumë se katër gola. Më lehtë do të ishte sikur Dortmundi të mposht Hoffenheimin dhe për nënkampionët e vitit 2002, do të mjaftonte edhe barazimi. Leipzigu duhet të fitoj pikë që të mbetet në Evropë, derisa kualifikimi në Ligën e Kampionëve kërkon humbjen e Leverkusenit si vendas të Hannoverit, si dhe humbjen e Hoffenheimit. Ndoshta lufta për titull në Bundesligë mbaron në mars, por gati gjithçka tjetër mbetet të zgjidhet në javën e fundit të kampionatit.
Betis – Sevilla (e shtunë, ora 6e30)
Në Spanjë akoma një vend është i hapur për Evropë. Për momentin okupohet nga Sevilla e cila pas shkarkimit të Montellas ka radhitur dy fitore. Triumfi në derbin e qytetit kundër Betisit do të ishte një motivim shtesë pos lavdit lokal. Përndryshe Sevilla do të mbetet jashtë Evropës për herë të parë në pesëmbëdhjetë vitet e fundit.
Rivalët tjerë të Sevillës janë gjithashtu në aksion – Getafe pret Atleticon e Madridit, ngjashëm si Girona Valencinë. Të dy ndeshjet bashkë me La Coruna – Villarreal (të cilët ende nuk e kanë të sigurt Evropën), nisin gjithashtu në ora 6e30.
Premier League finalet (e diel, ora 4)
Liverpoolit praktikisht i mjafton barazimi me Brightonin si vendas në javën e fundit të Premier League për të siguruar Ligën e Kampionëve. Humbja do të rrezikonte kualifikimin për këtë garë, me Chelsean që pret fitore, ndonëse e ka boll zor ta merr, në Newcastle. Gjithçka tjetër sa i përket Evropës është përfunduar me dy ekipet e Manchesterit dhe Tottenhami në Ligën e Kampionëve, Arsenal e Burnley në Europa League.
Në Championship shkojnë Stoke City e West Brom, derisa Swansea duhet të ndal serinë prej katër humbjeve për të mposhtur Stoke Cityn, dhe atë së paku me 11 gola diferencë. Kjo diferencë do të mund të binte, për shembull në pesë gola, në rast se Southampton mposhtet me shtatë gola diferencë nga Manchester City në ‘stadiumin e dritës’. Pak a shumë është punë e kryer rënia nga Premier League, ku vitin e ardhshëm do të jenë Wolverhampton Wanderers e Cardiff City.
Atalanta – Milan (e diel, ora 6)
Humbja e turpshme në finalen e Kupës së Italisë, Milanin e lë para sfidës vitale ndaj konkurrentëve regjional, Atalantës. Ekipi nga Bergamo kërkon sezonin e dytë radhazi në Europa League, dhe këtë e kërkojnë me anë të grupeve për të mos nisur sezonin kualifikues qysh një javë pas përfundimit të Kupës së Botës.
Milanit i nevojitet një barazim për të qëndruar në pozitën e gjashtë që dërgon në grupe, para se të presin Fiorentinën në javën e fundit të sezonit. Edhe Fiorentina kërkon Evropën, dhe këtë javë, tri orë më herët të dielën, mund të dërgojnë Cagliarin në Serie B, nëse fitojnë Chievo në Bologna, Crotone kundër Lazios, SPAL në Torino, e Udinese në Verona. Pra, Cagliari do të ketë shpresë edhe një javë.
Roma – Juventus (e diel, ora 15n9)
Java tjetër do të jetë pushim për njërën nga këto dy ekipe. Juventusi do të festoj titullin në Torino qyshdoqoftë, derisa Roma mund të shkojë në pushim duke ditur që kthehen në Ligën e Kampionëve.
Sidomos nëse hynë në javën e fundit në pozitën e tretë, duke ditur që Lazio ndeshet me Interin në luftën direkte për pozitën e fundit në Ligën e Kampionëve.
5-shja e fundit e sezonit
Javën tjetër, pesë ndeshjet më të mira duhet t’i zgjidhni vet, pasi kjo është kolumna e fundit në këtë sezon të tretë të 5përVikend. Serie A, mbyll garat të dielën në ora 8:45, në Spanjë pozita e shtatë përcaktohet të shtunën në ora 6.30; në Francë të shtunën në ora 9, dhe në program janë dy finale kupash. Bayerni ndeshet me Frankfurtin të shtunën në ora 8, në Angli, Chelsea pret Manchester Unitedin në Wembley, të njëjtën ditë, në ora 6e15.