KOLUMNE!
Fundjava me super ndeshje!
Shkruan: Luan MORINA
28 September, 2018 @14:58
Një fundjavë e mbushur me super ndeshje!
Cilat janë top 5 ndeshjet e javës?
1. Roma – Lazio (e shtunë, ora 3)
Mes-java evropiane shtynë shumicën e ndeshjeve të zhvillohen të shtunën. Kështu katër ndeshjet kryesore të javës i kemi të shtunën, përfshirë edhe njërën që shkel tjetrën në terminin kryesor – atë të orës 6.
Pesëshja nis më herët, në ora 3 me derbin e Romës. Derbi i Romës kurrë nuk njeh se kush është vendas e kush mysafir. Të dy ekipet luajnë, me të drejtë, si të barabarta dhe kjo ka ofruar disa ndeshje të shkëlqyeshme viteve të fundit. Barazimi pa gola në pranverë ishte i pari pas pesë viteve, dhe vetëm i dyti në dymbëdhjetë vitet e fundit në gati 30 ndeshje. Historia na dëshmon një gjë – golat s’do të mungojnë. E kush do të shënojë më shumë do të shohin të shtunën, ndonëse Roma ka kaluar periudhë më të rëndë se Lazio javëve të fundit.
2. Juventus – Napoli (e shtunë, ora 6)
Napoli është këndellur pas nisjes së dobët të kampionatit. Ancelottit i nevojitet kohë, dhe duket se e ka gjetur. Më pozitivja është që ka gjetur mënyrën për të çelur llogarinë e golave të Insignes. Napoli ka fituar sezonin e kaluar në ‘Allianz Stadium’, dhe nuk është e pazakontë të shënojnë e të luajnë futboll ofensiv në këtë stadium napoletanët. Së paku nuk ka qenë gjatë kohës së Sarrit. Me qejf pres të shoh përballjen ndërmjet dy strategëve – Allegrit dhe Ancelottit, ndonëse i pari ka ekip shumë më të mirë! Fitorja e Juventusit do të ishte goditje psikologjike edhe për rivalët tjerë në Serie A.
3. Chelsea – Liverpool (e shtunë, ora 6e30)
Në Carabao Cup, me formacione të përziera, fitorja i takoi Chelseat. Barazimi javën e kaluar kundër West Ham ndali një seri të papritur të Sarrit në Premier League. Pak kush ka pritur një nisje aq të shkëlqyeshme të italianit në Premier League, dhe fitorja në Anfield mohoi dyshimet eventuale për një seri fatlume. Suksesi i italianit vërehet në mesfushë me çlirimin e Kantes me ardhjen e Jorginhos. Mund të konsiderojmë si dyshen defensive të mesfushës si më të mirën në Premier League, e dhe në botë (pos Realit ndoshta!). me Kovacicin, dhe krahët të cilët po ndihmohen më shumë nga Giroud se Morata, Sarri ka gjetur formulën e suksesit.
Kjo formulë duhet të sfidohet më seriozisht nga Kloppi. Liverpooli ka qenë superior ndaj ekipeve tjera, ndonëse nuk mund të thuhet se ka pasur shumë punë serioze, pos me Spurs. Një fitore në ‘Stamford Bridge’ do t’i kthente në ekipin që duhet ndjekur të tjerët, dhe njëkohësisht mund ta kthente Premier League në një dyluftim ndërmjet Manchester Cityt dhe Liverpoolit, që megjithatë është më mirë se një ikje si e dy sezoneve të kaluara.
4. Real Madrid – Atletico Madrid (e shtunë, ora 15n9)
Nuk ka më mirë se sa kur dy favoritët kryesor humbin papritur. Humbjet e Realit, dhe sidomos Barcelonës që vinte nga një ‘autsajder’, e bëjnë La Ligën më interesante. Derbi i Madridit, i pari për Lopeteguin në ligë, i jep shansin kampionëve të Evropës të revanshohen për humbjen në Superkupën e Evropës. Ky duhet të jetë sezoni i Atleticos, si në Spanjë si në Evropë. Gjejnë të dy rivalët kryesorë në një periudhë pak ‘jostabile,’ me shansin për të pasur një sezon kampionësh. Por, deri sot kanë dështuar kundër ekipeve të dobëta.
5. Sassuolo – Milan (e diel, ora 8e30)
Forma aktuale e Milanit është njëlloj forme që do e dëshironte secili për ekipin kundërshtar. Është asisoj forme jo shumë e keqe për të larguar trajnerin, por njëkohësisht jo aq e mirë për t’u lavdëruar. Loja e mangët që e kanë ndaj Genoas është ngushëllimi i vetëm për milanistët, sidomos ata të verbrit që tashmë një vit besojnë në të ashtuquajturën ‘grintë’ të Gattusos. Një vit i humbur i Milanit, që mund të kthehet edhe në një sezon shtesë me ardhjen e një trajneri të përkohshëm, Donadoni në këtë rast, si pasojë e idesë raciste që Milani është i milanistëve!
Nëse shihni lojën e Milanit, e shihni mungesën e strategjisë, qyqarllëkun e Gattusos për të ndërruar lojtarë ndërmjet dy reparteve të ndryshme – mesfushor për mesfushor, mbrojtës për mbrojtës, dhe ngulmimin e tij për të luajtur me 4-3-3, i papërshtatshëm për një ekip me thellësi aq të dobët në repartin ofensiv. Ka shumë probleme tek Milani, por më mirë është të koncentroheni në lojën e bukur që po bën De Zerbi me Sassuolon këtë vit. Kanë një ekip që shpejt ka gjetur gjuhën e përbashkët dhe po kënaq me lojëra të bukura.