SKENDERAJ

Fushë Kosova e pa fat
13 October, 2013 @17:17
Skuadra e Zylkifli Obërtnicës, Fushë Kosova, ka qenë shumë afër të regjistrojë fitoren e parë si mysafir në edicionin 2013/14 të Superligës.
Mirëpo, fitoren ‘Pampurëve’ ua mohoi Agron Ramadani në sekondat e fundit të ndeshjes, kur me një goditje të fortë jashtë zonës, arriti të mposht portierin Florim Neziri për të barazuar rezultatin në 1-1.
Pjesa e dytë zaten ia kishte nisur me dominim të drenicakëve, ku rastet më të mira i kishte prizrenasi Fatih Karahoda, që dështoi dy herë nga rastet ideale. Karahoda njëherë në minutën e 55-të shutoi jashtë zonës, për të ‘fshirë’ topi shtyllën, ndërsa tetë minuta më vonë brenda zonës, Karahodës golin ia mohoi vetë shtylla.
E Fushë Kosova pas këtyre dështimeve shfrytëzoi më së miri rastin e dhënë, kur nga gjuajtja e lirë, realizoi Fitim Krasniqi në minutën e 85-të të takimit, që në fund siç u pa, përsëri nuk ua solli fitoren e parë si mysafir këtë edicion ekipit debutues në Superligë.
Tabela aktuale dhe rezultatet.