PAS NDESHJES
Futbollisti i Ferizajit Thesar Ismajli është në gjendje të mirë shëndetësore
18 April, 2021 @21:42
Pas lëndimit të sotëm në duel ndaj Ulpianës, futbollisti i Ferizajit Thesar Ismajli është në gjendje të mirë shëndetësore ka bërë të ditur klubi.
Kjo ndeshje u ndërpre në minutën e 94 të takimit, pasi që Ismajli ra në tokë dhe ishte në gjendje kritike, me ç‘rast një person nga tribunat futet në lojë dhe sulmon gjyqtarin e ndeshjes — dhe ky i fundit e ndërpren atë.
“Lojtari i skuadrës sonë Thesar Ismajli është në gjendje të mirë pas lëndimit që mori sot në duel me kundërshtarin ku për disa sekonda ishte në gjendje kritike. Thesari para pak minutash është liruar nga spitali për në shtëpi, ndërsa drejtuesit e klubit e kanë vizituar atë dhe e presin që të rikthehet sa më shpejt në ekip,” ka bërë të ditur njoftimi i KF Ferizajit.
Përndryshe Ulpiana thuajse e fitoi këtë ndeshje, pasi që Kastriot Rapuca kishte shënuar për avantazhin e mysafirëve në minutën e 34 të ndeshjes pas asistimit të Gentian Eminit.
Sidoqoftë, tash pritet vendimi zyrtar i FFK-së për këtë ndeshje para se të dihet rezultati përfundimtar i takimit pasi që gjyqtari e ndërpreu atë.
Në ndërkohë, Ulpiana me fitore do të merrte kreun e Ligës së Parë B.