TURQI
Galatasaray mposht rivalin direkt, fiton titullin kampion!
19 May, 2019 @20:10
Galatasaray është kampion i Turqisë për sezonin 2018/2019!
Skuadra e drejtuar nga Fatih Terim shënoi sot fitore me rezultat 2-1 ndaj Basaksehirit, kundërshtarit për titull, për ta fituar kështu titullin kampion një javë para përfundimit të kampionatit, titull ky që është i 22-ti në historinë e klubit.
Të parët në epërsi kaluan mysafirët, me golin e Bajic, mirëpo Galatasaray reagoi në pjesën e dytë me golat e Feghouli dhe Onyekuru, duke e përmbysur rezultatin dhe duke e fituar ndeshjen.
Në fakt, Galata shënoi edhe dy gola të tjerë, por ata u anuluan pas rishikimeve me sistemin VAR.
Në rast të pikëve të barabarta, në Superligën e Turqisë përparësi në renditje ka skuadra që ka qenë më e mirë në përballjet direkte dhe rrjedhimisht për shkak që Galatasaray ka një barazim dhe një fitore ndaj Basaksehirit sivjet, kjo skuadër e feston titullin kampion një xhiro pa përfunduar kampionati, pasi që momentalisht ka 3 pikë më tepër sesa kundërshtari për titull.
Pak ditë më parë, pikërisht Galatasaray e fitoi edhe Kupën e Turqisë, pasi e mposhti me rezultati 3-1 në finale Akhisarsporin e Sokol Cikalleshit.