PORTO ALEGRE
Gjermanët kalojnë me mund të madh
30 June, 2014 @23:08
Gjermania ka arritur të kualifikohet në çerekfinale, vetëm pas 120 minutave lojë ndaj një Algjerie të hekurt, që u thye vetëm në vazhdime.
Ka qenë Andre Schurrle që ka shënuar në minutën e parë të kohës shtesë për t’ia dhënë epërsinë aq shumë të kërkuar gjermanëve, derisa Mesut Ozil në minutën e parafundit të kohës shtesë shënoi për 2-0, atëherë kur veriafrikanët kishin mbetur pa takat.
Sidoqoftë, ata arritën të shënojnë golin e nderit në minutën e fundit të takimit me anë të Abdelmoumene Djabousë, sa për tu përshëndetur denjësisht nga kampionati, pas një loje dhe rezistence të hatshme ndaj makinerisë gjermane sonte.
Rezistenca e hatashme algjeriane, karshi makinerisë gjermane
Në 90 minutat e para të ndeshjes, Gjermania ka pasur më shumë se loja. Raste të panumërta për Thomas Mullerin, por edhe për bashkëlojtarët e tij, posaçërisht në 15 minutëshin e fundit të lojës së rregullt. Bastian Schweinsteiger, Philipp Lahm e Andre Schurrle - nuk kanë arritur të shënojnë nga pozita ideale, duke u ndalë nga portieri algjerian, Rasi M’Bolhi.
Mirëpo, Algjeria me mbrojtje të organizuar mjaft mirë dhe me kundërsulme të mençura i bënte ballë gjithçkaje.
Për më tepër, një Gjermani të harxhuar në energji, ka qenë vështirë ta shohësh - siç ua bëri Algjeria sonte. E njëri ndër më të merituar për shpëtimin e Gjermanisë, ka qenë portieri Manuel Neuer, që në mbi 5 raste ka reaguar si qendërmbrojtës për të shpëtuar rrezikun nga kundërsulmet e Mbretërve të Shkretëtirës.
Shqiptari, Shkodran Mustafi, luajti nga fillimi i ndeshjes për Panzerët, mirëpo është dashur që të zëvendësohet nga Sami Khedira për shkak të një lëndimi, në dukje të lehtë.
Gjermania në çerekfinale të Kupës së Botës do të ndeshet ndaj Francës.