TREPÇA - GJILANI
Gjilani kthehet me 3 pikë nga Mitrovica
30 November, 2016 @15:07
Skuadra e Gjilanit ka regjistruar fitoren e 7 në këtë edicion.
Bardhekuqtë janë kthyer me pikë të plota nga udhëtimi në Mitrovicë, ku e mposhtën Trepçën, e cila hyri me disponim të mirë në këtë ndeshje pas dy fitoreve në dy ndeshjet e fundit të Superligës.
Goli i parë në ndeshje erdhi në minutën 43’, kur Zgjim Mustafa i Gjilanit e mposhti portierin Enis Manxholli duke shënuar me kokë pas harkimit të Berat Ahmetit nga korneri.
Ndërsa për rezultatin përfundimtar u përkujdes Egzon Shabani, i cili shënoi në minutën 60’.
Deri në fund të ndeshjes Trepça arriti të krijojë disa raste të mira shënimi, por të cilët nuk arriti t’i konkretizojë. Mitrovicasit kishin raste të mira edhe në pjesë të parë, por kryesisht falë portierit Faton Maloku dhe mbrojtjes që ishte në ndihmë, ekipi i Arbnor Morinës mbeti pa pësuar, e më vonë shënoi për fitore.
Me këtë fitore Gjilani e përmbyll pjesën vjeshtore me 25 pikë, ndërsa Trepça mbetet me 12 pikë të tubuara.
FAKT:
Fakt interesant nga ky takim është se trajneri i Trepçës Nazmi Rama pak para fundit të ndeshjes deshi ta largojë nga loja mesfushorin Samir Sahiti, por ky i fundit nuk pranoi të dalë, duke e vazhduar atë. |