DRENICA - FERIZAJ
Drenica ndan pikët me Ferizajin
30 November, 2016 @14:58
Drenica dhe Ferizaji e kanë përfunduar me barazim pjesën vjeshtore të kampionatit në Superligë.
Dy skuadrat i kanë ndarë pikët në duelin mes tyre që u zhvillua në stadiumin “Bajram Aliu” në Skënderaj.
Vendasit e filluan vrullshëm ndeshjen duke krijuar raste të mira shënimi në dhjetë minutat e para me anë të Granit Arifajt, mirëpo goli i parë erdhi nga ana tjetër.
Ishte Shkëmbim Salihu ai i cili e kaloi në epërsi skuadrën e Ferizajit, duke shënuar në minutën 36’. Ndërsa forma e mirë e ekipit pas ardhjes së Arsim Abazit në krye u pa kur Labinot Shabani pati rast ideal për shënim, por më kot.
Ky ishte edhe goli i vetëm në pjesën e parë, ndërsa në pjesën e dytë Altin Merlaku shënoi një gol të bukur nga distanca (mbi 25 metra), për ta barazuar rezultatin në 1-1. Ky ka qenë goli i parë kampional i Merlakut prej se ka ardhur te Drenica nga Dukagjini këtë verë.
Ferizaji fundin e ndeshjes u desh ta përmbyllë me një lojtar më pak, pasi Muhabi Bushi u ndëshkua me karton të kuq në minutat e fundit të ndeshjes, derisa referi kryesor kishte zgjatur për 7 minuta takimin.