FERONIKELI-LIRIA

BOROZANI/ A. P.
Goli i parë i stinorit si mysafir, sjell fitoren e Lirisë
14 October, 2017 @16:04
Mesfushori i ardhur përforcim nga Shqipëria, Artur Magani, ka shënuar golin e parë të stinorit për Lirinë si mysafir dhe ky gol, ka qenë i mjaftueshëm për të përzgjedhurit e Bledi Shkëmbit që të arrijnë fitoren e parë jashtë Përparim Thaqit këtë stinor.
Liria ka arritur të mposht befasisht Feronikelin sot, por me lojë, posaçërisht në pjesë të dytë, bardhezinjtë nga Prizreni (të veshur me të portokallta sot) kanë treguar lojë për të merituar fitoren.
Feronikeli ka pasur rastet e veta, por nuk ka arritur të shënojë. Qemail Elshani kishte rastin më të mirë në pjesë të parë kur rezultati ishte ende 0-0. Më pas edhe Behar Maliqi ka tentuar rrezikshëm, për të barazuar derisa ishte Liria në epërsi, por kot. Humbja ishte e paevitueshme për të përzgjedhurit e Zekirija Ramadanit sot.
Për më tepër, Mendurim Hoti i la bashkëlojtarët në 20 minutat e fundit. Nikli mbeti me 10 lojtarë në fushë, pasi që Hoti morri karton të kuq në ndeshje (dy të verdha).
Liria me këtë fitore, të parën si mysafir këtë stinor, ka arritur në kuotën e 15 pikëve para duelit ndaj Llapit. Ndërsa Feronikeli aktualisht është në zonën e rrezikshme të Superligës!