HELLAS
Greqia feston arritjen historike
25 June, 2014 @10:46
Përfaqësuesja greke ka arritur të përbirohet në të tetën e finales së Kampionatit Botëror, Brazili 2014, duke siguruar për herë të parë këtë fazë të garave në histori të këtij vendi.
E trajneri Fernando Santos ka thënë se është koha që e tërë Greqia të festojë deri në mëngjes këtë arritje të tyre.
“Nuk jemi ekipi më i keq në Kampionat, por nuk jemi as më të mirët. Është koha për festë dhe le të festojë e gjithë Greqia këtë sukses,” ka thënë selektori portugez i helenëve, Santos.
Greqia ia nisi ndeshjes si e fundit në grup me një pikë të vetme të fituar, derisa me një penallti të fituar në minutat shtesë të takimit ndaj Bregut të Fildishtë, ka arritur që të fitojë ndeshjen dhe të sigurojë fazën eliminuese të Botërorit. Mijëra grekë kanë dalë në sheshet kryesore të qyteteve të tyre për të festuar arritjen historike të këtij vendi në një Kampionat Botëror.
Greqia do të përballet me befasinë e dalë nga grupi i vdekjes, Kosta Rika, në të tetën e finales së Brazili 2014.