PAS MIQËSORES
Guardiola rinon Cityn, shpresë për kosovarët
21 July, 2016 @10:33
Përballja e djeshme ndërmjet Bayern Munchenit dhe Manchester Cityt është parë me një sy ndryshe nga analistët britanik.
Ata kanë lëvduar trajnerin spanjoll të Cityt, që ka drejtuar për herë të parë ekipin në një duel jashtë vendit dhe atë pikërisht ndaj ish ekipit të tij Bayernit.
“Shumë është bukur të shohësh një numër të madh të lojtarëve të rinj të Cityt në Allianz Arena. Kjo na bën të ditur se Pep është duke e injektuar filozofinë e tij të lojës të posedimit të topit te djelmoshat,” ka thënë Paul Lake, ish lojtar i dikurshëm i Cityt.
CELINA
Sulmuesi i Kosovës, Bersant Celina, ka pasur një rast të mirë në ndeshje, që është cekur edhe nga faqja zyrtare e ekipit nga Etihad.
Celina ka qenë në fushë nga minuta e 56, kur zëvendësoi spanjollin Jesus Navas.
BYTYQI
Përveç tij, edhe Sinan Bytyqi ka fituar rastin për të qenë pjesë e lojës për citizens, i cili nga minuta e 66 u inkuadra në lojë nga Guardiola në vend të serbit, Aleksandar Kolarov.
City u mposht nga Bayerni 1-0, me golin e shënuar nga Erdal Ozturk, në ndeshjen e parë të trajnerit Carlo Ancelotti për bavarezët.
SHABANI
Për Bayernin nga minuta e 82-të në fushë ka qenë Meritan Shabani, që fitoi rastin nga trajneri italian, kur zëvendësoi Fabian Genkon.
Celina e Bytyqi janë në ekspeditën e Cityt që merr rrugë për Kinë këto ditë për miqësoret parasezonale në kuadër të International Champions Cup.