MONACO - JUVENTUS

Foto:uefa.com
Higuain shkëlqen, Juventusi ‘me një këmbë’ në finale
3 May, 2017 @21:36
Me rezultat 0-2 është mbyllur takimi i luajtur në principatë mes Monacos e Juventusit, rezultat i cili e afron shumë me finalen skuadrën italiane.
Pjesa e parë kaloi pothuajse me vetëm 3 raste për shënim, ndërsa njëri prej tyre ishte goli i Higuainit. Dy rastet e para u paraqitën për skuadrën franceze. Fillimisht rrezikoi Mbappe nga afërsia pas një krosimi nga krahu i djathtë, mirëpo për mrekulli reagoi Buffon, për të mos lejuar kalimin e skuadrës së tij në disavantazh. Pak minuta më vonë me kokë rrezikoi Falcao, mirëpo edhe ky nuk pati sukses.
Në anën tjetër, ishte ‘Zonja e Vjetër’ ajo që e zhbllokoi ndeshjen. Pas një kundërsulmi ‘vrasës’, Dani Alves asistoi shumë bukur te Gonzalo Higuain, i cili nuk fali për 0-1 dhe me këtë rezultat u mbyll pjesa e parë.
Ashtu si pjesa e parë, edhe e dyta filloi me presionin e Monacos, mirëpo skuadër më cinike u tregua Juventusi, që golin e gjeti pas një gabimi të mesfushës vendase. Asistues ishte përsëri Alves e shënues ishte përsëri Gonzalo Higuain, i cili shënoi për 0-2, rezultat ky që i jep avantazh shumë të madh Juventusit para ndeshjes së kthimit në Torino.
Pas 2 ndeshjeve që i pamë këtë javë, me shumë gjasa finalja e sivjetme e Champions Leagues do të luhet mes Realit e Juventusit, përveç nëse shohim ndonjë rikthim senzacional në ndeshjet e kthimit.