PAS DERBIT KROAT
Huliganizmi në ekspanzion
Nga Sportske Novosti
2 October, 2018 @0:48
Pas derbit më të madh kroat, ndërmjet Hajdukut të Splitit dhe Dinamos së Zagrebit, temë nuk ishte rezultati i ndeshjes.
Dueli që përfundoi pa gola, 0-0, më së paku kishte futboll. Futbollistët e të dyja palëve si duket që në fillim ishin të gatshëm për një barazim pa gola dhe një rast i Hajdukut dhe disa të Dinamos ishin krejt çka treguan futbollistët në fushë.
Mirëpo, në anën tjetër, tifozëria e Hajdukut “Torcida” bëri atë të për të cilën ekipi mund të merr deri në 12 ndeshje moslojë në terren të vetin, “Poljud”.
Katërdhjetë e pesë flakadane të ndezura gjatë ndeshjes, 9 bomba tymosëse, 17 shpërthime, një zjarrëfikës i lënduar rëndë që u desh të operohet dhe një futbollist i Hajdukut (hungarezi Adam Gyrursco, por pa rrezik) i goditur me gur - të gjitha këto nga tifozëria e Hajdukut, që ka vazhduar huliganizmin aktiv në Kroaci.
Në fakt, ajo që u quajt gur, ishte një copë betoni e shkëputur kushedi si nga shkallët e stadiumit!!!
Rregullat e HNS-së (Federatës së futbollit të Kroacisë) thonë se të gjitha këto çojnë në suspendim për 12 ndeshje të terrenit vendas dhe dënimeve tjera në të holla.
Vetëm në stinorin e kaluar, Hajduku i ka paguar HNS-së 1 milionë kuna kroate dënime, rreth 150 mijë euro.
Kjo shifër kap dy të tretat e të gjitha dënimeve në të holla të shqiptuara nga HNS-ja gjatë stinorit 2017/18. Pra Hajduku ka paguar afro 70% prej të gjitha dënimeve gjatë tërë stinorit në elitën e futbollit kroat.
Derisa problemi vazhdon me piroteknikë të nivelit të rrezikshëm në stadiumet e Kroacisë, pyetja që bëhet më së shpeshti është se si organet e rendit nuk po mund të ndalojnë futjen e këtyre mjeteve në stadium dhe edhe më larg, të identifikojnë së paku disa nga më problematikët.
As Dinamo nuk qëndron më mirë. Zyrtari për siguri i Dinamos, Kreshimir Antolic ka bërë të ditur se ekipi i tyre ka marrë “faturën” nga UEFA-ja prej 77 mijë eurove për shkak të piroteknikës së tifozërisë së tyre në ndeshjet ndërkombëtare.
Në ditët në vijim pritet që ti shqiptohet dënimi Hajdukut, derisa ekspertë të fushave të ndryshme kanë thënë se “Torcida” duhet t’i largojë vetë nga radhët e tyre pjesën e rrezikshme të njerëzve, për të mos ndodhur më e keqja, pasi që përkundër video inçizimeve, metodave të identifikimit nga policia - ende asgjë nuk është bërë.