PENSIONOHET HITZFELD
Ikja e një trajneri madhor
2 July, 2014 @1:33
Ottmar Hitzfeld ka konfirmuar edhe njëherë pas ndeshjes se më nuk do të mirret me zejen e trajnerit. I goditur me vdekjen e vëllaut më të madh një ditë më parë dhe eliminimin e minutës së fundit të vazhdimeve nga Argjentina, gjermani 65 vjeçar me zë të butë si gjithmonë ka komentuar lojën e fundit të tij dhe planet për të ardhmen.
“Do të kem një jetë të qetë para meje,” ka thënë fillimisht gjermani fytyrëgur pas ndeshjes ndaj Argjentinës, ku nga të pranishmit në konferencë për shtyp është kërkuar të mos i bëjnë pyetje lidhur me vdekjen e të vëllaut, shkruan Eurosport.
“Puna ime si trajner përfundon këtu. Jam i kënaqur dhe krenar me karrierën time. Kam qenë fatlum që kam udhëhequr ekipe të mrekullueshme dhe kombëtaren zvicerane,” ka vazhduar më tej 65 vjeçari.
“Ka qenë nder i madh… dhe jam krenar me këtë ekip, duke i thënë lamtumirë me një zemër plotë emocione.”
Hitzfeld morri drejtimin e Zvicrës në vitin 2008 dhe kërkonte çerekfinalen e parë për këtë vend në një Botëror që nga Botërori i largët, 1954.
Ai do të njihet si njëri ndër trajnerët e rrallë që ka fituar Ligën e Kampionëve me dy ekipe të ndryshme, Borussia Dortmund 1997 dhe Bayern Munchen 2001.
Edhe lojtarët e kombëtares së Zvicrës në fillim të “Brazili 2014” kishin thënë se ata do të bëjnë më të mirën që munden në këtë Botëror, ashtu që të mos e turpërojnë njeriun shembull - dhe me lumturinë e shprehur pas paraqitjes ndaj Argjentinës përkundër eliminimit - duket se helvetët ia arritën qëllimit.
Trajneri i ardhshëm i Zvicrës do të jetë ish trajneri i Lazios, Vladimir Petkovic.