KOMISIONI I GARAVE

Pamje nga arkivi
“Intelektualët” e “Skifterat” fusin në disiplinore Dritën e Gjilanin
27 September, 2021 @21:56
Derbi i madh i Gjilanit, i zhvilluar në Fadil Vokrri, ndërmjet Dritës dhe Gjilanit nuk ka kaluar pa incidente dhe sot Komisioni i Garave të Superligës ka inicuar procedurë disiplionre për të dyja skuadrat.
Në njoftimin e fundit të lëshuar nga faqja zyrtare e FFK-së bëhet e ditur për rastin në fjalë, ndërsa janë regjistruar edhe dëme materiale në stadiumin, ku Kosova pritet të zhvillojë ndeshjen kualifikuese për Botëror gjatë tetorit kundër Gjeorgjisë.
Për Dritën, inicimi disiplinor është ky (pa ndërhyrje, sipas KG-së):
“ndaj: FC ”Drita” ; motivi: Lëshim në organizimin e ndeshjes Drita – Gjilani. Në minutat 1 dhe 2 tifozët e FC ”Drita” kanë hedhur mjete piroteknike në tribunën lindore si dhe më vonë kanë hedhur mjete piroteknike tymosëse. Gjatë pauzës në meslojë, tifozët mysafirë të SC ”Gjilani ”, provokojnë ata të FC ”Drita”, të cilët pastaj vërsulen drejt njëri-tjetrit, ku pastaj fillon përleshja me shufra metali, me ulëse plastike (ishin prapa portave) dhe grushte, për çka pjesa e dytë e ndeshjes filloj me 15 minuta vonesë , derisa tifozeritë e të dy ekipeve ishin qetësuar. Në minutat 51, 58 dhe 59 u hodhën mjete piroteknike në tribunën lindore nga ana e tifozëve vendas. Pas shënimit të golit në min.66, tifozët e SC ”Gjilani” u futen në terren për të festuar golin me lojtarët mysafirë. Në min.75, tifozët e FC ”Drita” hedhin disa shishe PVC (të mbushura me ujë) në fushë. Në tribunën lindore ku ishte tifozeria e FC ”Drita”, janë shkaktuar dëme materiale: disa ulëse të thyera, rrethoja e dëmtuar, në toalete disa pllaka të qeramikës të thyera si dhe është dëmtuar dera e zhveshtores ku ishin të vendosur FC ”Drita”. Sipas raportit të delegatit të ndeshjes Drita- Gjilani , personit për siguri të FFK-së si dhe xhirimit televiziv.”
Ndërsa për Gjilanin (pa ndërhyrje, sipas KG-së):
“ndaj: SC ”Gjilani”; Motivi: Tifozët e SC ”Gjilani” provokuan ata të FC ”Drita”, si pasojë vërsulen ndaj njëra-tjetrës duke u përleshur me shufra metalike, ulëse plastike (ishin prapa porte) dhe grushtime. Me këtë rast janë shkaktuar edhe dëme të konsiderueshme materiale në infrastrukturën e stadiumit ”Fadil Vokrri”. Para fillimit të pjesës së dytë tifozët e SC ”Gjilani”ndezin mjete piroteknike tymuese, si dhe dëmtojnë disa karrige në tribunën veriore të stadiumit, ku ishin të vendosur tifozët e SC Gjilani. Në min. 66, pas shënimit të golit të parë, tifozët mysafirë hynë brenda vijave kufizuese për të festuar golin me lojtarët e SC Gjilani. Sipas raportit të delegatit të ndeshjes Drita- Gjilani , personit për siguri të FFK-së si dhe xhirimit televiziv.”
Nesër, ose më së voni pasnesër pritet që Komisioni Disiplinor i Superligës të shqiptojë dënimet për skuadrat përkatëse për rregullat e thyera të cekura më lartë.