GIANNI DE BIASI
Izraeli, rival kryesor i Shqipërisë
4 November, 2016 @12:31
Selektori i kombëtares shqiptare, Gianni De Biasi, ka thënë se i tërë stafi i tij është i koncentruar në përballjen e të shtunës së 12 nëntorit në Shkodër ndaj Izraelit.
Italiani 57 vjeç ka folur për media në mbledhjen e trajnerëve të Shoqatës Europiane të trajnerëve, ndërsa ka cekur se Spanja e Italia janë të paarritshme për Shqipërinë në këtë grup.
“Izraeli është ndeshja më e rëndësishme për Shqipërinë dhe aty duhet të përqendrohemi. Ai është rivali ynë direkt për vendin e tretë në grup. Ky është objektivi ynë kryesor, pa anashkaluar edhe të realizojmë diçka më shumë në ndeshjet në vijim,” është cituar të ketë thënë De Biasi për mediat italiane nga Panorama Sport sot.
Shqipëria është nikoqire e Izraelit të shtunën e ardhshme më 12 nëntor në “Loro Boriqi” të Shkodrës.