LEAGUE CUP

Jam si vrasës serik
25 January, 2016 @14:41
Jurgen Klopp është bërë mik i mediave britanike. Me karakterin e tij ai po i merr zemrat e të gjithëve dhe këtë e dëshmoi edhe sot në konferencën për shtyp para ndeshjes ndaj Stoke Cityt në Kupën e Ligës.
“Kemi rezultatin pozitiv nga ndeshja e parë dhe arritja e finales në Anfield Road para tifozëve, do të ishte gjëja më e mirë,” ka thënë fillimisht gjermani i Liverpoolit.
“Jam i lumtur që Roberto Firmino ka kapur formën, që është mirë për ne si ekip. Ndërsa golashënuesit e ndryshëm në ndeshjen e fundjavës na japin sinjale edhe më të mira,” ka shtuar ai.
Në ndërkohë ai është pyetur edhe për syzat e tij, të cilat iu thyen në fundjavë dhe nuk arriti t’i gjente syzat rezervë.
“I gjeta. Mirëpo, këto janë pak më të zeza në kornizë dhe tash duhet të keni kujdes nga unë sepse dukem si vrasës serik,” ka shtuar Klopp, duke bërë që të qeshet e gjithë salla sot.
Liverpool kishte fituar ndeshjen e parë gjysmëfinale të Kupës së Ligës ndaj Stoke Cityt në Britannia Stadium 1-0 me golin e shënuar nga Jordan Ibe.
Nëse Liverpool kalon në finale, do të ndeshet me njërin nga gjysmëfinalistët Everton - Manchester City, ku ndeshjen e parë e ka fituar Evertoni 2-1.
